Lajme Shqip Friday, 02 September 2011 19:37

Prishtinë – Në Bruksel, pjesëmarësit në bisedimet Prishtinë-Beograd, kanë konfirmuar arritjen e marrëveshjes për vulat doganore. Hollësi të tjera nuk janë publikuar ende, ndërkohë që, në fund të takimit, ndërmjetësuesi i bisedimeve, Robert Cooper, pritet të dalë me deklaratë formale për konfirmimin e marrëveshjes së arritur, njoftojnë mediat kosovare.

Mësohet se në orët e pasdites, pala kosovare dhe ajo serbe diskutuan për energjinë, telekomunikacionin, kadastrën dhe njohjen e diplomave universitare.

Duke folur para nisjes së këtij raundi, shefja e delegacionit të Kosovës në bisedime, Edita Tahiri ka thënë se “ne si qeveri jemi shumë e qartë, vizioni ynë është vizion euroatlantik për Kosovën”.

Homologu i saj, shefi i delegacionit të Serbisë në bisedime, Borko Stefanoviq, para nisjes së bisedimeve, ka folur haptazi për rezultatet që ai pret të arrihen.

“Shpresojmë se pas një dite të gjatë diskutimesh, do të kemi disa rezultate konkrete, posaçërisht lidhur me vulat doganore dhe kadastrat, dhe se do të mund të dalim publikisht me detajet e këtyre marrëveshjeve”, tha Stefanoviq.

Zyrtarët e BE-së ndërkaq kanë thënë se është mirë për të dyja palët të arrihen “sa më shumë marrëveshje, në prag të raporteve të progresit të Komisionit Evropian”, të cilat priten të dalin muajin e ardhshëm.