Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 10:17

Bruksel (PLOTËSUAR, 1 Dhjetor, 14:47)-Shefja e delegacionit të Prishtinës Edita Tahiri dhe kreu i delegacionit serb Borisllav Stefanoviç mbërritën rreth orës 14.00 në zyrën e ndërmjetësit të BE-së për dialogun Robert Cooper për ditën e dytë të raundit të tetë të bisedimeve.

Duke folur para gazetarëve, Tahiri akuzoi sërish Serbinë për mungesë vullneti dhe angazhimi për të implementuar marrëveshjet e arritura apo për të patur rezultate konkrete në këto bisedime. “Bisedimet janë fokusuar në çështjen e menaxhimit të integruar të kufijve, dhe ne si shtet i Kosovës kërkojmë të zbatohet modeli europian ashtu sic është përcaktuar me traktatin e Lisbonës si dhe një model që është në harmoni me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

Por është një kompleks kompleks dhe të shohim sa do të përparojmë sot në këtë çështje. Sa i përket energjisë dhe telekomit, pala serbe nuk është angazhuar as për diskutime ndërsa ne insistojmë që këto dy cështje të përfundojnë sot”. Tahiri i ka bërë thirrje Beogradit të ndryshojë mendësi dhe të pranojë realitetin e ri të Kosovës. “Sa I takon bashkëpunimit rajonal, përsëri do të bisedojmë sot, por ka shumë diferenca vecanërisht në palën serbe që ka në mëndësinë e saj që nuk pranon realitetin në Kosovë dhe në Ballkan. Por Beogradi duhet ta kuptojë tashmë që Kosova është e pavarur dhe duhet të përfaqësohet në mënyrë të barabartë me vendet e tjera të rajonit”-tha Tahiri për gazetarët.

Stefanoviç: Ska rezultate në çdo raund

Ndërsa kreu i delegacionit serb Borisllav Stefanoviç tha se ekipi i tij është gjithnjë i gatshëm për të ofruar zgjidhje dhe për të kapërcyer mosmarrëveshjet por se nuk mund të ketë rezultate në çdo raund. “Ne s’kemi ardhur asnjëherë në Bruksel pa një angazhim të plotë për të arritur rezultate. Por dua tju kujtoj se që nga marsi kemi arritur 6 marrëveshje. Ne nuk e kuptojmë kurrë këtë si një process kun ë çdo raund duhet të ketë rezultate. Rezultati duhet të jetë i zbatueshëm dhe i pranueshëm për të gjitha palët. Pala jonë ka qënë dhe është gjithnjë gati për të ofruar zgjidhje dhe për të kapërcyer mosmarrëveshjet që ndonjëherë janë tepër të mëdha. Dhe ndonjëherë nuk ekziston i njëjti nivel gatishmërie për tu përballur me çështjet”-tha Stefanoviç. Sipas tij natyrisht që do të shtrohet edhe çështja e implementimit të marrëveshjeve që janë arritur deri më sot. I pyetur lidhur me ndikimin e këtij dialogu tek statusi i vendit kandidat për Serbinë, Stefanoviç tha se statusi është një çështje e rëndësishmë dheSerbiaka bërë shumë për të plotësuar kriteret e përcaktuara nga KE. “Por ne nuk e shohim dialogun si diçka thelbësore për kandidaturën tonë, dialogu është për të zgjidhur problemet e njerëzve”-tha Stefanoviç. Ka nisur në Bruksel dita e dytë e raundit të tetë të bisedimeve teknike PrishtinëBeograd  të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian.

****************************** 

Bruksel-Pas më shumë se 12 orë bisedime, ekipet nga Prishtina dhe Beogradi që u ulën sërish në tryezën e bisedimeve teknike në Bruksel nuk kanë arritur asnjë rezultat konkret. Palët deklaruan se negociatat do të vazhdojnë edhe të enjten, ndonëse ishte parashikuar që ato të zgjasnin vetëm një ditë. Ndaj dhe zyrtarët e BE-së shpresojnë për ndonjë marrëveshje gjatë ditës së sotme, në këtë raund të fundit të dialogut Prishtinë-Beograd për këtë vit.  Përfaqësuesit e delegacioneve të Prishtinës dhe Beogradit bën të ditur se pas 12 orë negociatash intensive në Bruksel, palët ndodhen shumë pranë marrëveshjes, për bashkëmenaxhimin e pikëkalimeve kufitare mes Kosovës dhe Serbisë. Palët duket të jenë pranë një marrëveshje edhe për prezantimin e Kosovës në takimet rajonale. Por për asnjërën prej këtyre çështjeve nuk është arritur ndonjë marrëveshje konkrete. Shefja e delegacionit të Prishtinës, Edita Tahiri deklaroi pas takimit se gjatë ditës është biseduar për menaxhimin e përbashkët të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë. Janë paraqitur edhe disa ide konkrete, por rezultatet kanë munguar. Kosova insiston që problemi i kufirit mes Kosovës dhe Serbisë të zgjidhet sipas modelit evropian të menaxhimit të integruar të kufijve. “Fakti që bisedimet duhet të vazhdojnë, tregon se nuk është arritur ndonjë marrëveshje“, tha Tahiri duke shtuar se sot paradite do të bisedohet edhe për çështjen e telekomunikacionit, furnizimit me energji dhe përfaqësimin e Kosovës në takimet rajonale. Zëvendëskryeministrja e Kosovës edhe një herë akuzoi Beogradin për moszbatimin e marrëveshjeve të arritura dhe të nënshkruara më parë.

Beogradi nuk pranon simbolet e Kosovës në kufi

Kreu i delegacionit serb Borisllav Stefanoviç tha se pala serbe ka paraqitur disa propozime konkrete për tejkalimin e dallimeve mes palëve, por pala kosovare është përgjigjur ndaj të gjitha këtyre propozimeve me kundërpropozime të papranueshme. Sipas tij, Serbia kurrësesi nuk mund të pranojë që pikëkalimet administrative mes Kosovës dhe Serbisë të shndërrohen në pikëkalime kufitare dhe të kenë ndonjë shenjë të kufirit shtetëror. Beogradi kërkon që pikëkalimet kufitare të mos paraqesin ndonjë problem për serbët e Kosovës për të kaluar në Serbi me tabelat e automjeteve dhe dokumente e lëshuara nga Serbia. Stefanoviç tha se nuk është e mundur që njëra palë të fitojë të gjitha ndërsa tjetra të humbë të gjitha. „Nëse dikush në Prishtinë ka menduar se dialogu do të përfundojë kështu, atëherë e ka shumë gabim dhe me këtë do të dëmtojnë shumë tërë rajonin dhe njerëzit që jetojnë në Kosovë“, theksoi ai. Përfaqësuesit e Bashkimit Evropian kanë deklaruar se nga rezultatet e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit varet nëse Serbia do të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në BE.