Lajme Shqip Sunday, 03 July 2011 08:21

Prishtinë – Raundi i gjashtë i dialogut teknik Kosovë-Serbi pritet të mbahet rreth mesit të muajit korrik, bënë të ditur burime zyrtare në Prishtinë, pas përfundimit të raundit të pestë të bisedimeve mes delegacioneve të të dy vendeve, të shtunën në Bruksel, që rezultoi me tre marrëveshje.

Nga një komunikatë e zyrës së shtypit të qeverisë së Kosovës bëhet e ditur se nën udhëheqjen e zv/ kryeministres Edita Tahiri, delegacioni i Kosovës, mbështetur në Kushtetutën e Kosovës, ligjet në fuqi dhe rezolutën e Kuvendit të Kosovës për dialogun teknik, ka arritur në raundin e pestë tre marrëveshje ndërshtetërore me Serbinë.

Kjo është bërë e mundur me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.

Marrëveshjet që u arritën në këtë raund të dialogut teknik janë për lëvizjen e lirë, për njohjen reciproke të diplomave universitare dhe marrëveshja për kthimin e regjistrave civilë.

Marrëveshja për lëvizjen e lirë është e bazuar mbi parimet e reciprocitetit të plotë midis dy shteteve, vullnetit të mirë dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, që ka si qëllim mundësimin e qarkullimit të lirë të qytetarëve dhe automjeteve nga njëri shtet në tjetrin dhe për në vendet e treta.

Ndërsa ajo për njohjen reciproke të diplomave universitare është në linjë të plotë me praktikat evropiane dhe marrëveshjet ndërshtetërore me të cilën mundësohet njohja reciproke e diplomave universitare midis dy vendeve duke u mundësuar studentëve nga të dyja vendet perspektiva edukimi të mëtejshme dhe punësimi në shtetet përkatëse.

Marrëveshja për kthimin e regjistrave civilë i kontribuon kompletimit të regjistrit civil të Kosovës përmes të cilit Kosova praktikisht përmbush një prej kritereve për marrjen e liberalizimit të vizave me BE-në.

“Këto marrëveshje janë një arritje shumë e rëndësishme për të dyja vendet, pasi ngërthejnë vlerat e larta civilizuese dhe demokratike, janë në frymë dhe konform standardeve euro-atlantike dhe kontribuojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe përafrojnë Kosovën me Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën për mediat.

Më tej theksohet se “arritjet e shënuara në këtë raund të dialogut teknik ndikojnë në përmirësimin e marrëdhënieve ndërfqinjësore dhe bashkëpunimet rajonale, që janë kritere të Kopenhages për integrim në BE”.

Vlerësohet se “përmes arritjeve në këtë raund të dialogut teknik, Kosova  ka shënuar një hap të rëndësishëm drejt ushtrimit të sovranitetit të saj në politikën e jashtme dhe ka avancuar në interesat nacionale dhe interesat e qytetarëve”.

Komunikata e lëshuar nga qeveria e Kosovës pas përfundimit të raundit të pestë të dialogut teknik Kosovë-Serbi paralajmëron se në 4 korrik ndërmjetësi i BE, Robert Cooper do t’i bëjë publike përmbajtjet e plota të marrëveshjeve të arritura një ditë më parë në Bruksel.

Marrëveshjet do të fillojnë të zbatohen menjëherë dhe Bashkimi Evropian përmes mekanizmave të tij do të jetë koordinues, lehtësues dhe monitorues përgjatë zbatimit të tyre.

Mësohet se zv/kryeministrja Edita Tahiri do të kthehet sot pasdite nga Brukseli dhe në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës do të  mbajë një konferencë për media.