Lajme Shqip Friday, 06 May 2011 13:19

Prishtinë – Ish-ambasadori i SHBA-ve në Somali, Piter Skot Brixh gjatë një ligjërate para studentëve në Universitetin Amerikan në Kosovë, ka vlerësuar lart rolin e universiteteve amerikane në vende të ndryshme botërore, ndërsa ka shprehur bindjen se edhe studentët e AUK-ut në të ardhmen do të ndihmojnë në ndërtimin dhe zhvillimin e vendit.

Skot Brixh, i cili ka folur edhe për përvojën e tij si ambasador në Somali ka treguar se si para një shekulli studentët bullgarë, të cilët kishin kryer shkollimin e tyre në universitetin amerikan Robert në Stamboll më pas kishin ndihmuar në hartimin e Kushtetutës së Bullgarisë.

“Ka shumë universitete amerikane në Ballkan, ndërsa në një listë që kam realizuar fillon nga Tirana, Sofja, Prishtina, Athina, Stambolli dhe shumë vende tjera. Të gjitha këto kolegje dhe universitete kanë pasur dhe ende kanë rol të rëndësishëm në shtet e tyre dhe në rajon. Shumë vite më parë studentët bullgare nga kolegji Robert në Stamboll, ndihmuan në hartimin e Kushtetutës së parë bullgare, kështu që ju e kuptoni sa i kënaqur jam që shoh një universitet amerikan këtu në Prishtinë dhe shpresoj që do të ketë rol pozitiv”, ka thënë Brixh.

Për më tepër, Brixh e ka çmuar rolin e AUK-ut, duke e krahasuar atë me universitetet tjera në rajon, të cilat kanë pasur rol të rëndësishëm dhe pozitiv në ato shtete. Ai ka thënë se universitetet amerikane vazhdimisht nxjerrin studentë të cilët në të ardhmen kontribuojnë pozitivisht në shtetet e tyre.