Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 15:46

Tiranë- Ambasadorja Britanike në Shqipëri, Fiona McIlëham theksoi sot se progresi në luftën kundër korrupsionit nuk është jetik vetëm për progresin e Shqipërisë drejt BE-së por edhe për fuqizimin e demokracisë.

Në një tryezë të  rrumbullakët të organizuar nga Transparency International  per projektin e tyre “Sistemi i Kontrollit mbi alokimet e buxhetit, si pjese e Strategjise Anti-korrupsion”,  të financuar nga Keshilli Britanik dhe Banka Boterore, ambasadorja britanike nënvizoi se “keqpërdorimi i pushtetit – i fondeve publike apo postit – për përfitime personale, tjetërson sistemet demokratike”.

Ambasadorja nënvizoi se “ky projekt është  një shembull i qartë i punës ndërgjegjësuese dhe monitoriuese kundër korrupsionit, e cila kërkohet edhe nga Raporti i Progresit të vitit 2011”.

Ambasadorja nënvizoi se, “pas planit te veprimit, ngritjes se institucioneve dhe mjeteve kundër korrupsionit, vëmendja tani eshte e përqendruar tek zbatimi dhe veprimi konkret: “Zbatimi i strategjisë anti-korrupsion të qeverisë dhe veprimi për të hequr pengesat për hetimet …duke përfshirë imunitetin e gjyqtarëve, deputetëve dhe zyrtarëve”.

Ambasadorja theksoi se “Reforma e besueshme dhe e qëndrueshme kërkon angazhimin dhe mbikqyrjen e medias dhe shoqërisë civile”.

Ajo shtoi se jo vetëm në Mbretërinë e Bashkuar po edhe kudo në botë “fuqia popullore e angazhimit civil për të mbështetur ndryshimin po bëhet gjithmon e më e dukshme.”