Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 16:46

Londër-Autoritetet britanike kanë shpallur në kërkim ish punonjësin e SHIK-ut Ilir Kumbaro, i kërkuar lidhur me akuzat për rrëmbim dhe torturë. Siç raporton BBC, Policia Metropolitane kërkon të gjejë 58 vjeçarin Ilir Nazmi Kumbaro, pasi ai nuk u paraqit në seancën dëgjimore të ekstradimit që ishte planifikuar javën e kaluar.  

Një inspektor i policisë, në njësinë e ekstradimit, Pete Rance, tha se beson që Kumbaro ndodhet ende në Britaninë e Madhe, por mund të jetë larguar nga Londra ndërsa po fshihet nga miqtë e tij.

Policia ka lëshuar një apel për gjetjen e Kumbaros ndërsa ka publikuar edhe një nr telefoni për këdo që ka informacione për të.

Ish-agjenti i shërbimeve sekrete Ilir Kumbaro, akuzohet për zhdukjen e biznesmenit shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha në vitin 1995, ndërsa i është dhënë leje qëndrimi për në Britani që nga gushti i vitit 1996, pas pretendimeve të tij se ai ishte refugjat kosovar, duke u paraqitur me emrin e rremë, Shaqa Shatri.

BBC njofton se lirimi me kusht u dha nga Gjykata e Lartë në Londer pas një apelimi ndaj vendimit të mëparshëm, që i refuzonte atij lirimin me kusht nga frika se nuk do të paraqitej në gjykate.

Policia britanike kërkon tashmë informacion për vendndodhjen e Kumbaros nga publiku duke kërkuar qe ata të njoftojnë njësinë e ekstradimit në numrin e telefonit të dhënë ne faqen e internetit të BBC.

Vetëm pak kohë më parë Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë lënë në fuqi masën e sigurisë “burg pa afat” për ish-agjentin e SHIK-ut, Ilir Kumbaro, vendim i cili i hapi rrugë ekstradimit të tij në Shqipëri. (LajmeShqip.com)