Lajme Shqip Sunday, 14 July 2013 13:07

Pukë – Gjashtë anëtarë të dy familjeve, Kopani dhe Xhaferri nga Puka, ndërmjet tyre dy fëmijë 5 dhe 9 vjeç, janë plagosur nga të shtënat e kallashnikovit të tre grabitësve. Fëmija 5-vjeçar Eris Xhaferri dhe i ati i tij, Zamir Xhaferri janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë në gjendje shumë të rëndë dhe në rrezik për jetën. Erisi është plagosur në kraharor dhe në krah, kurse i ati në shpatull.

Në makinën “Opel Astra Karavan” me targa AA 506 DP po udhëtonin nga Puka drejt Shkodrës, familjet e dy motrave: Valbona Kopani me bashkëshortin esaj Astritin dhe djalin Armando, 9 vjeç si dhe Mirjeta Xhaferri me bashkëshortin Zamir Xhaferri dhe djalin 5 vjeç, Eris Xhaferri.

Gjatë kalimit në Qafë Qelë, rreth orës 7:00, drejtuesit të makinës, Astrit Kopani iu kërkua të ndalonte në anë të rrugës nga tre persona të armatosur dhe me maska. Fillimisht ai ka menduar se ata janë pasagjerë, por kur është afruar ka parë se ata ishin të maskuar dhe të armatosur. Për këtë arsye, ai jo vetëm që nuk ka ndaluar, por i ka dhënë më shumë gaz makinës, për t’iu larguar atyre. E pikërisht në këtë moment, grabitësit e kanë goditur me breshëri nga pas, nga afro 5 m largësi, raporton Shqiptarja.

Si rezultat, të gjashtë anëtarët e familjeve u plagosën, Astriti më lehtë nga të gjithë, por më i vogli, ai që ishte me sa duket pranë dritares, rrezikoi jetën sëbashku me babanë e tij. Armando Kopani, 9-vjeçar, djali i drejtuesit të makinës, u plagos në këmbë. Tashmë, tre nga të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, kurse dy të tjerët ende rrezikojnë.