Lajme Shqip Saturday, 08 June 2013 11:25

Prishtinë – Zyra e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian në Kosovë ka njoftuar se fondi për veriun do të themelohet këtë muaj. Ky fond që është paraparë të mbikëqyret nga përfaqësuesi i Bashkimit Evropian në Kosovë mund të përfshij vetëm katër komunat e veriut. Ndërkohë që mësohet se akoma po vazhdon beteja mes palëve në Bruksel që pjesë e fondit të jenë edhe komuna Jugore e Mitrovicës si dhe Skenderaj e Vushtrria.

Marrëveshja midis kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë që t`i bashkojnë paratë e përbashkëta në një fond të vetëm për veriun, i cili fillimisht është paraparë të jetë rreth 16 milionë euro do të jetësohet këtë muaj.

“Kjo është një nga çështjet e para për të cilat është arritur pajtim dhe se ky fond do të themelohet brenda qershorit”, i ka thënë Radio Kosovës, Stojan Pelko, zëdhënësi i Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar.

Pelko nuk ka bërë të njohura detajet rreth strukturës së fondit. Por burime të Radio Kosovës brenda ekipit negociator të Kosovës kanë shpjeguar se projeksioni i fondit për të cilin është arritur marrëveshje do të ndryshoj sërish.

Sipas të njëjtave burime Asociacioni i komunave serbe pritet të ketë rol domethënës në menaxhimin këtij fondi.

Nga ekipi i Kosovës në bisedime nuk është konfirmuar se çfarë saktësisht do të përfshij ky fond që është planifikuar të menaxhohet nga përfaqësues të BE-së, por që informacionet e rregullta për administrimin e tij t’i kenë të dyja qeveritë, ajo e Kosovës dhe e Serbisë. Por, vetëm është konfirmuar se do të themelohet këtë muaj.

Deri më tani pala kosovare ka këmbëngulur që fondi të mbulojë një territor më të gjerë që përveç Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe komunës veriore të Mitrovicës të përfshij edhe tri komunat e tjera Skenderaj, Vushtrri dhe Mitrovicën Jugore. Deri më tani sipas burimeve brenda ekipit negociator gjasat janë që vetëm Mitrovica jugore të përfshihet në benefitet e këtij fondi.

Ky fond është produkt i një pajtimi të përkohshëm që kryeministrat e Kosovës e Serbisë kishin arritur gjatë bisedimeve të janarit për çështjen e doganave që përfshin derdhjen e taksave të mbledhura në veri dhe donacione të tjera në një fond të veçantë.