Lajme Shqip Thursday, 20 August 2015 08:46

Brenda muajit gusht pritet të përfundojë procesi i shqyrtimit të rreth 20 mijë ankesave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo është bërë e ditur nga zyrtarët e Komisionit për verifikimin e veteranëve.

Në anën tjetër veteranët kanë paralajmëruar protesta të reja në muajin shtator, nëse nuk përfundon tërë procesi gjatë gushtit, pasi që kërkojnë që sa më parë të fillojë dhënia e beneficioneve për veteranët.

Udhëheqësi i Zyrës për Veteranët e Luftës së UÇK-së në Zyrën e Kryeministrit, Faik Fazliu, ka thënë për “Zërin” se beson që procesi i shqyrtimit të ankesave do të bëhet shumë shpejt dhe se veteranët do të marrin certifikatat brenda muajit gusht.

 “Procesi është në përfundim e sipër, besoj që në fund të këtij muaji të gjithë do t’i marrin vendimet dhe certifikatat”, ka deklaruar shkurt Fazliu.

Ndërsa përfaqësuesi i organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë se në bazë të informata që i kanë, procesi i shqyrtimit të ankesave është afër përfundimit dhe se shpreson që ky proces të përfundojë shpejt.