Lajme Shqip Saturday, 01 December 2012 14:53

TIRANE – Javën e ardhshme kryeministri Berisha do të mbledhë në Vlorë kabinetin qeveritar, në nderim të mbledhjes së parë të qeverisë shqiptare me ne krye Ismail Qemalin, që u zhvillua në 4 dhjetor 1912.

Lajmi u bë i ditur nga zëdhënësja e qeverisë, ministrja e Integrimit Majlinda Bregu, në një konferencë për shtyp. Bregu nënvizoi se qeveria do të jetë sërish në Vlorë më 4 dhjetor, për të nderuar qeverinë e parë shqiptare në këtë 100-vjetor të pavarësisë së vendit.

“Në datën 4 dhjetor 2012, në orën 10:00, qeveria shqiptare, nën drejtimin e kryeministrit Berisha, do të mbajë mbledhjen e saj të radhës në qytetin e Vlorës. Në nderim të veprës së Ismail Qemalit e ministrave të qeverisë së parë shqiptare, pas kohës së Skënderbeut, në 4 dhjetor të javës tjetër do të jemi përsëri në Vlorë.”- deklaroi ministrja Bregu.

DEKLARATA E PLOTE E ZEDHENESES SE QEVERISE
Festimet për 100 vjetorin e Pavarësisë nuk kanë mbaruar. Kujtesa jonë kombëtare na sjell në këtë fillim dhjetori një tjetër ngjarje po aq të rëndësishme sa ngritja e flamurit në Vlorë dhe shpallja e shtetit shqiptar si i pavarur.

4 dhjetori i 1912-ës është një tjetër ditë e shënuar në historinë e Shqipërisë: është dita e themelimit të qeverisë së parë shqiptare, e qeverisë së parë shqiptare, pas kohës së Skënderbeut. Në 4 dhjetor 1912, Kuvendi i Vlorës zgjodhi qeverinë e parë me kryeministër Ismail Qemalin, i cili në atë kohë kishte edhe funksionin e Ministrit të Jashtëm.

Kjo qeveri e re kishte në përbërje të saj 10 ministra, politikanë, aktivistë, njerëz të shquar të lëvizjes politike e patriotike, publicistikës e jetës fetare në Shqipëri.

Që nga Zv/kryeministri Dom Nikoll Kacorri, një personalitet i spikatur i kishës katolike, sekretar i Argjipeshkëvisë së Durrësit; Ministri i Brendshëm, Myfit Libohova, politikan i shquar shqiptar; Ministri i Arsimit, Luigj Gurakuqi, një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike; Ministri i Drejtësisë, Petro Poga, botues i gazetës “Drita” të Stambollit; Ministri i Bujqësisë Pandeli Cele; Ministri i Financave Abdi Toptani; Ministri i Luftës, Mehmet Pash Dërralla, një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878; Ministri i Punëve Botore, Mit’hat Frashëri një tjetër figurë e spikatur në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX e deri tek Ministri i Postëtelegrafës, Lef Nosi, nënshkrues i Aktit të Pavarësisë.

Ndonëse në kushte të vështira, prej politikave të brendshme e të jashtme, të asaj kohe, kjo qeveri mori një sërë masash për ndërtimin e shtetit, për zhvillimin ekonomik e kulturor kombëtar, që do të hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të vendit dhe të shTetit të ri, të pavarur shqiptar.
Kjo qeveri mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar dhe tërësinë territoriale të vendit.

Në datën 4 dhjetor 2012, në orën 10.00, qeveria shqiptare, nën drejtimin e kryeministrit Berisha, do të mbajë mbledhjen e saj të radhës në qytetin e Vlorës, në nderim të këtij akti madhor në histori, të themeluesve të Pavarësisë shqiptare dhe të Kuvendit të Vlorës.
Në nderim të veprës së Ismail Qemalit e ministrave të qeverisë së parë shqiptare, pas kohës së Skënderbeut, në 4 dhjetor të javës tjetër do të jemi përsëri në Vlorë.(LajmeShqip.com)