Lajme Shqip Thursday, 24 March 2011 12:28

Tiranë – Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe Ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi, nënshkruan sot në ambientet e Ministrisë së Integrimit, Marrëveshjen e Financimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Evropian për Programin IPA 2010 në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, ministrja Bregu tha se “prej vitit 2007 deri në 2013, vendi ynë do të mbështetet nga ky instrument financiar, duke synuar forcimin e institucioneve demokratike dhe shtetit të së drejtës, reformimin e administratës publike, kryerjen e reformave ekonomike, respektimin e të drejtave të njeriut si dhe të minoriteteve, promovimin e barazisë gjinore, mbështetjen e zhvillimit të shoqërisë civile dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal etj”.

Bregu theksoi se “me rregulloren e re të IPA që Komisioni Evropian i komunikoi Këshillit të Evropës në nëntor të vitit 2008, është përcaktuar ndarja e asistencës komunitare për të gjitha vendet e rajonit, përfshi edhe Shqiperinë, pavarësisht nëse ndërkohë këto vende ndryshojnë statusin nga kandidat në anëtar, apo nga kandidat potencial në kandidat”.

Ndërsa ambasadori Sequi, pasi bëri një përshkrim të projekteve të IPA 2010 sipas vlerave monetare respektive, tha se “firmosja e kësaj marrëveshje është konfirmimi i angazhimit të BE ndaj perspektivës së Shqipërisë drejt Bashkimit Europian”.

“Kjo perspektivë është një angazhim politik i bazuar në përgjegjësinë e përbashkët të të dyja palëve. Firmosja çdo vit e kësaj marrëveshje financiare, është një instrument me anë të të cilit ne synojmë të ndihmojmë Shqipërinë në fusha të cilat konsiderohen prioritare”, tha Ambasadori Sequi, duke shtuar se është tepër e rëndësishme që Shqipëria të angazhohet plotësisht, në bashkëpunimin me Bashkimin Europian, në mënyrë që të përfitojë sa më shumë, në të mirë të qytetarëve të saj dhe të ardhmes së tyre europiane.

Në kuadrin e Programit IPA 2010,  nga ana e Komunitetit Evropian jepet një grant me një shumë totale prej 83. 2 milionë euro, me të cilin do të financohen dhjetë projektet madhore të grupuara në 3 akse prioritare strategjike.

Asistenca e këtij programi i përgjigjet rekomandimeve të Strategjisë së Zgjerimit 2009, Progres Raportit, prioriteteve të Partneritetit Evropian dhe adreson kërkesat e MSA-së.

IPA 2010 adreson çështje kyçe si reforma në polici dhe forcimi i shtetit të së drejtës, sidomos për sa i përket mbështetjes për infrastrukturën e vuajtjes së dënimit dhe përmirësimit të kapaciteteve trajnuese të Qendrës së Formimit Policor, modernizimit të sistemit të prokurorisë si dhe mbështetje për Parlamentin.

Gjithashtu, programi kombëtar do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet e administratës shqiptare për forcimin e kapaciteteve, në veçanti Ministrinë e Integrimit Evropian, Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Ministrinë e Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave.

Veç kësaj, mbështetje do të jepet për çështje të rëndësishme që lidhen me acquis si siguria ushqimore. Parashikohet edhe përfshirja e dy projekteve të mëdha infrastrukturore, një në mjedis (furnizimi me ujë dhe kanalizimet) dhe një në transport (rrugët rurale).