Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 20:30

Tiranë-Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu raportoi sot në Komisionin Parlamentar të Integrimit lidhur me projekt-buxhetin e Ministrisë së Integrimit për vitin 2012, i cili është parashikuar të jetë në vlerën 330 milion Lekë, ose 0.5% më shumë se buxheti i vitit 2011.

Duke kundërshtuar deklaratat e deputetëve të opozitës në komision që thanë se buxheti i ministrisë së integrimit për vitin e ardhshëm, është ulur me 7.4%, ministrja sqaroi se kjo shumë për  të cilën aludohet dhe që është publikuar nga raporte të shoqërisë civile, thjesht është transferuar tek drejtoria e tregut të brendshëm dhe nuk është më pjesë e drejtorisë së mbështetjes institucionale, pra mbetet në funksion të ministrisë.

“Ky buxhet nuk është një buxhet që menaxhon i vetëm aktivitetin e ministrisë, kemi edhe asistencën e përvitshme të fondeve të IPA-s. Me një pjesë të fondeve të kësaj asistence të atashuar pranë Ministrisë së Integrimit, jemi munduar të përballojmë trajnimet, përmirësimin e sistemit të softëare-it, cilësi më të mirë në përkthimin e legjislacionit dhe njëkohësisht të paguajmë dhe detyrimin e 15% të fondeve të asistencës të cilat i atashohen me projekte një vendi, një detyrim i cili do të vazhdojë të mbështetet nga MIE”, sqaroi Bregu.

Ajo bëri të ditur se “në pranverë, (procesi është në fazën e tenderimit në Komisionin evropian), pranë ministrisë së Integrimit do të atashohet asistenca e tretë teknike e BE-së, SMEI III që do të krijojë mundësinë për të përmbushur të gjitha detyrimet që është e pamundur të realizohen me buxhetin e shtetit:  p.sh.: falë kësaj asistence është parashikuar të trajnohen më shumë se 700 nëpunës të administratës publike”.

E pyetur nga deputetët e pranishëm në Komision, nëse ka ndodhur ndonjëherë që një zhvillim apo aktivitet në kuadër të procesit, të pengohet nga mungesa e buxhetit, ministrja tha se integrimi është një proces, i cili nuk ka sesi të pengohet nga mungesa e fondeve.

“Nëse ne humbëm 2 vjet kohë, ato i humbëm jo se nuk kishim para, por se një pjesë e politikës, opozita, mungoi totalisht në parlament dhe nuk luajti rolin që i takon në zhvillimet politike të vendit”, tha ministrja, e cila ftoi opozitën që me rikthimin e saj, të ndihmojë në atë që ajo e vlerësoi si prioritet të punës së vitit të ardhshëm: kompletimin e dosjes për akreditimin nga sektori i IPA-s, një proces shumë i rëndësishëm që ka të bëjë me kërkesat për menaxhimin e decentralizuar të fondeve.