Lajme Shqip Friday, 22 July 2011 14:41

Tiranë – Ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, pas prezantimit të projektit “SMEI II” të BE-së, në një prononcim për mediat sot komentoi takimin e tretë të Këshillit të Stabilizim-Asocimit, të zhvilluar para pak ditësh në Bruksel.

Duke iu referuar deklaratës së përbashkët të përfaqësueses së lartë të BE, Catherine Ashton dhe komisionerit Stefan Fyle, Bregu theksoi se “deklarata iu referohej zgjedhjeve në Tiranë për mënyrën se si u interpretuan nga opozita, për deklaratën paraprake që kreu i opozitës bëri për një fitore të tij në Tiranë, kur procesi i numërimit nuk kishte përfunduar, për zhurmën dhe shëmtinë e organizuar para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në momentin kur po numëroheshin votat e e hedhura gabim”.

Bregu tha se ata i konsiderojnë zgjedhjet në Tiranë jo të mira “për fjalorin jo të denjë dhe sigurisht fyes, ofendues dhe kërcënues që kryetari i opozitës ua bëri anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor para marrjes së vendimit të parë dhe deri në vendimin përfundimtar”.

Ajo sqaroi se “e gjithë kjo situatë, polarizimi i situatës politike, bëri që zgjedhjet në Tiranë, për mënyrën sesi u bë kjo performancë, të mos konsideroheshin të mira dhe na bindën për nevojën e kryerjes së reformës zgjedhore”.

“Detyrimin e përbashkët për të shtuar përgjegjësinë e përbashkët në agjendën kombëtare të integrimit të vendit, qeveria nuk e bën dot duke marrë rolin e opozitës”, përfundoi ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu.