Lajme Shqip Monday, 08 July 2013 10:05

Tiranë – Zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, është shprehur në një intervistë për GSH se pas statusit në FB, ku sulmonte Edi Ramën, ka dashur të tërhiqet nga policia.

“Vetëm herën e fundit, incidenti i fundit me statusin në Facebook, më çoi për herë të parë idenë që unë të largohem, ta lë policinë. Ka qenë familja ime ajo që më ka dhënë kurajë. Kur atë ditë shkova në shtëpi dhe u thashë që do e lë punën, të gjithë më thanë “kur nuk e kë lënë policinë kur ke ardhur me pantallona të grisura nga plumbat, nuk ke pse ta lësh në këtë moment,” tregon ai.

Breçani i qëndron deklarimit se statusi në “Facebook” nuk është bërë nga ai dhe shton se pezullimi i tij sipas rregullores  është vetëm 1 muaj. Ai shprehet se nuk e ka shkelur ligjin dhe nuk ka pse të pushohet nga detyra.

“Jam i bindur që jo, sepse nuk e kam shkelur ligjin,” shprehet ai.

Ai pohon se “do i shërbej me pasion dhe përkushtim çdo detyre që do më ngarkohet. Në punë nuk kam pasur prirje politike. Unë kam miq nga të dyja krahët”.