Lajme Shqip Tuesday, 02 July 2013 10:50

Tiranë – (E plotësuar) Nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani, i vënë në qendër të medias për shkak të një postimi në Facebook, ka reaguar duke thënë se faqja është e tij, por ai nuk e ka bërë postimin.

“Shpesh e lë faqen hapur, e ka shkruar dikush tjetër” është shprehur Breçani.

Në faqen zyrtare të Breçanit, nën emrin e tij, ishte postuar një koment ku bëhej thirrje për të shporrur kryetarin e PS, Edi Rama, i cili etiketohej edhe si Hitler dhe Enver.

 

Breçani bën thirrje për rrëzimin e Edi Ramës

 

Tiranë – Zv.drejtori për Sigurinë Publikë në Drejtorinë e Policisë së Qarkut të Tiranës, Erzen Breçani, i përfolur në media pas dhunës fizike ndaj operatorit të Top Channel në fillim të muajit prill, rikthehet sërish në qendër të vëmendjes.

Këtë herë Breçani është bërë protagonist në rrjetin social Facebook ku ka bërë thirrje për të rrëzuar Ramën nga pushteti. Në një postim të ditës së hënë zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit shkruan tekstualisht:

“Pershendetje liderit historik te shqipetareve Doktorr Sali Berishes e duam ndihmen tende se jemi mesuar me ty qe te na prish deri sa te largojm pinjollet e komunistave me ne krye edvin ramen ta largojm kete enver te dyte ne qe dikur studenta te 91 shembem diktaturen enveriste do gjejme forc dhe optimizem do te ngrihemi te tere se bashku me rinin qe te mos e leme kete hitler te gjunjezoj shqiptaret”, shkruan ai në FB, raporton Top Channel.

Breçani ka qenë në qendër të akuzave të opozitës lidhur me shkeljet e bëra në krye të detyrës. Po në muajin prill ai u përfshi në një debat përpara kamerave me 5 deputetë socialistë gjatë një operacioni për lirimin e një banese në Tiranë, ku personeli i një kompanie private të sigurimit fizik, ka përdorur edhe armët e zjarrit.