Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 14:52

Tiranë – Komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e punës së Kuvendit nuk zhvilloi sot mbledhjen e paralajmëruar për shkak të mungesës së deputetëve të maxhorancës, të cilët janë angazhuar në fushatën elektorale të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, në cilësinë e kryetarit të komisionit, gjatë një prononcimi për mediat shprehu shqetësim për këtë situatë, duke i kërkuar Kuvendit shtyrjen e afateve të punës së komisionit dhe zëvendësimin e anëtarëve të tij me deputetë të tjerë.

“I kërkojmë Kuvendit të Shqipërisë zëvendësimin e anëtarëve të komisionit hetimor parlamentar që janë tërhequr nga komisioni, si dhe pezullimin e afateve të punë së tij, deri në momentin që ai do të ketë shumicën e domosdoshme për të kryer funksionimin normal”, tha Braçe.

Deputetët e maxhorancës deri më 8 maj do të jenë të angazhuar me fushatën zgjedhore, gjë që sjell dhe mosfunksionimin e tij. Sipas Braçes, puna e komisionit hetimor zgjat vetëm katër muaj ndaj Kuvendi duhet të shqyrtojë kërkesat e tyre.

Me anë të këtij komisioni, të ngritur disa javë më parë me vendim të Kuvendit, opozita kërkon hetimin e punës së parlamentit në periudhën dhjetor 2005-dhjetor 2010.