Lajme Shqip Thursday, 19 September 2013 12:29

Tiranë- Deputeti i PS-së, Erion Braçe, ka akuzuar qeverinë në ikje për bastisje të zyrave të shtetit.

“Bastisja ka ndodhur nga Kuvendi, Kryeministria e deri në çdo  ministri. Kanë marrë gjithçka. Nga pikturat në mure, suvenire të ndryshëm, vendosur në ambiente të posaçme të po këtyre zyrave, kompjuterë dhe hard disk-e të kompjuterëve që janë zëvendësuar me të tjerë, që nuk kanë as edhe një program të vetëm të instaluar.

Madje një ministër kish lyer zyrën vende- vende dy ditë para se të largohej prej andej, me qëllim qe të mos dukeshin gjurmët e pikturave të marra nga muret!”,shkruan Braçe në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, ministrat e qeverisë së ikur kanë dhënë arsye tërësisht banale për një fenomen të tillë.

“Arsyeja që kanë dhënë është tërësisht banale: I kemi pasur dhurata personale, por që i kemi mbajtur në zyrat publike të shtetit”.

Braçe shkruan se: “Kjo bastisje është vjedhja e fundit. Asnjë zyrtar i shtetit nuk merr dhurata personale për zyrën e shtetit. Secili prej tyre i merr ato për shkak të funksionit që ka. Askush nuk ka deklaruar deri më sot dhuratat e marra gjatë e për shkak të detyrës. Askund nuk ekziston ndonjë regjistër për dhuratat e mara nga zyrtarët e shtetit gjatë e për shkak të detyrës”.

Braçe shton se “kjo bastisje nuk duhet falur”./tema/