Lajme Shqip Saturday, 26 October 2013 20:48

Erion Braçe drejtues i Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, thotë për A1Report se në buxhetin e shtetit mungojnë 230 milionë dollarë.

Ai ai thotë se do të japin llogari ata që e zbrazën arkën e shtetit.

“Nga 230 milionë dollarë që mungojnë, 206 milionë dollarë i janë mohuar buxhetit vetëm në 4 muajt e tranzicionit. Përgjegjshmëria duhej të ishte më e madhe e atyre që dolën humbës në zgjedhje. Ngritën traun e doganës, janë përfshirë në veprimtari kriminale, të gjithë ata që kanë pasur biznese.

 

Kur mungojnë 200 milionë dollarë, duhet që të gjenden përgjegjësit, në të gjitha nivelet e qeverisjes së vendit, për shkak të paligjshmërisë në ushtrimin e detyrës. Janë para që mungojnë në buxhetin e shtetit. Jo vetëm që skema është fryrë me 6 mijë persona vetëm gjatë fushatës zgjedhore, por shteti nuk u është përgjigjur atyre që janë vërtetë invalidë.

Përgjegjësia duhet të nisë që nga ish-kryeministri i vendit, që në sallën e Kuvendit vetëm një gjë nuk bëri, të jepte llogari se pse mungojnë 200 milionë dollarë në buxhet,” tha Braçe.

“Nuk u dha përgjigje për rimbursimin e TVSH-së, sepse deri më tani ka dalë vetëm një skemë, ajo e kompanive kineze.

 

Pasi dolën të humbur, ata u munduan të bëjnë nga një dorë para. Bode gjatë gjithë kësaj kohe ka refuzuar që të ballafaqohet. Ka një rënie shumë të fortë ekonomie gjatë tremujorit të dytë, 1.1% ishte rritja ekonomike.

Sa herë që ka pasur fushata në këtë vend, muajt e fundit të vitit kanë qenë me të ardhura më të larta se muajt e parë. Ne kemi shkurtuar 160 milionë dollarë shpenzime me aktin normativ. Kemi prekur edhe shkurtime në shpenzimet publike dhe këto janë para grantesh që nuk janë gjendje në Shqipëri,” vijoi deputeti i PS.

Braçe sqaroi edhe çështjen e borxhit.

“Vetëm 24 miliardë lekë do merren borxh. Ne nuk kemi krijuar borxh të ri, por kemi marrë përsipër për të paguar borxhet e krijuara gjatë 9 muajve të parë të vitit. Do paguajmë, pagat, shpenzimet, borxhet e energjisë, ato të ujit, të gjitha ato borxhe që ata që ikën nuk i kanë paguar.

 

Fondi rezervë ishte zero. Dhe ky është krim pasi të lësh në muajin e 9 të qeverisjes të lësh arkën bosh që në muajin shtator, sigurisht që është krim. Të përdorësh fondin rezervë për investime të panevojshme është krim. Të lësh zero ushqim në rezervën e shtetit, zero karburant, sigurisht që është krim. Kanë prekur jo vetëm fondin rezervë dhe kontigjencën, por edhe rezervën e shtetit,” tha Braçe.