Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 15:25

Deputeti socialist, Erion Braçe ka komentuar vendimin e gjykatës, që e dënon atë me 10 milion lekë të vjetra për shpifje ndaj deputetes së PD, Albana Vokshi.

Braçe tha se vendimi është një akt i pastër politik. “Gjyqtarja është bashkëshortja e kandidatit për kryetar bashkie në Berat,” tha Braçe.

Vendimin e ka marrë Fatime Decolli. I shoqi i saj, Ilir Decolli kandidoi vjet në Berat për logon e PD. “Kjo është pjesë e paketës së prerjes së gjuhës për opozitën,” tha Braçe.

Deputeti socialist u shpreh se çështja që ka shtruar ai është në interesin publik. “Padia e Vokshit është mbështetur në dy deklarata të mia lidhje me çështjen e dhënies së 4 nga 6 vendburimet të naftës në vend. Një nga vendburimet më të mëdha të naftës në tokë në Europë. E grabitur nga investitorë aspak strategjikë. Kjo është një çështje që ka të bëjë vetëm me interesin publik,” tha Braçe.

“Janë 1500 faqe dokumente që gjykatësja nuk i mori kurrë në konsideratë, apo të kryente hetim për këtë. Shtetasja Vokshi ankohet dhe konsideron shpifje vetëm një fjali, që unë kam thënë që gjatë kohës që janë marrë vendimet për dhënien e këtyre burimeve me koncesion, kam thënë që zonja në fjalë ka qenë anëtare të këshillit mbikëqyrës të Albpetrol. Këto janë dokumentet e deklarimit të pasurisë së zonjës Vokshi që e pranon vetë që ishte në këshillin mbikëqyrës të Albpetrol. Edhe në dokumentet e QKR provohet kjo gjë. Madje dhe një dëshmi në prokurori e Albana Vokshit e pranon diçka të tillë, që në padi e mohon,” vijoi më tej Braçe.

Deputeti socialist tha se kjo çështje nuk mbyllet këtu, por mbyllet kur burimet e naftës t’i kthehen popullit.

“Në sistemin tonë gjyqësor është krijuar një kastë e korruptuar dhe e kapur politikisht. Unë jam viktima e panumërt në radhën e viktimave të thjeshta, të cilëve iu merret çdo ditë liria,” tha Braçe.