Lajme Shqip Thursday, 14 February 2013 15:46

TIRANË– Kuvendi nisi sot rreth orës 11:00 punimet e seancës plenare të radhës me ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet qeverisë shqiptare dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, “për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar”. Kuvendi nisi me debate mes deputetit të PS-së Erjon Brace dhe ministrit të Financave Ridvan Bode.

Deputeti i Partisë Socialiste Erjon Brace gjatë diskutimit të pr/ligjit për gazifikimin, u shpreh se Albpetrolit iu dha e drejta ekskluzive e gazifikimit për ta privatizuar, në një kohë që sipas tij, kjo kompani nuk parashikonte gazifikim.

“Privatizimi i Albpetrolit është një turp kombëtar, është i dështuar. Albetrolin e frytë me të drejta ekskluzive”, tha Brace. 

“Albpetroli në asnjë plan biznesi të këtyre viteve të fundit nuk ka gazifikimin e Shqipërisë. I kam unë të gjitha planet e biznesit të Albpetrolit për 5 vitet e fundit, sic kam edhe buxhetet e Albpetrolit në 5 vitet e fundit dhe në asnjërin prej tyre nuk parashikohej që Albpetroli të ndërmerrte një investim për të gazifikuar Shqipërinë, apo për të ofruar shërbimin e transmetimit të gazit për ndonjë operator tjetër që nuk ekziston në Shqipëri. Ju dha thjesht dhe vetëm për procesin e privatizimit, e frynë me të drejta sovrane të shtetit shqiptar, sic ishin të drejtat e ndarjes së prodhimit të marrëveshjeve të hidrokarbureve, që i takojnë shtetit shqiptar dhe ju dhanë në një ligj këtu në parlamentin e Shqipërisë, privatizuesit. E frynë duke grumbulluar pafund në Albpetrol sasi nafte, e frynë edhe duke i dhënë licenca ekskluzive, sic është kjo licenca e gazit. Tani cpo bëjnë, tani që dështuan po kthehen mbrapsht. U kujtuan që kjo licenca ekskluzive që i kishin dhënë Albetrolit, për transmetimin e gazit cënon një projekt edhe më të rëndësishëm sic është projekti TAP”, tha Brace.

Në kundërpërgjigje, ministri i Financave, Ridvan Bode, tha se, “Nuk i është dhënë ekskluziviteti i gazit Albpetrolit, përkundrazi e ka pasur historikisht ekskluzive por në kontratën e privatizimit i është hequr”.

Duke folur për linjën e gazsjellësit TAP, për të cilën informoi se dje është nënshkruar marrëveshja në Greqi mes tre shteteve, Bode tha se “për fatin tonë të mirë dhe me këmbënguljen e qeverisë shqiptare në projekt ekziston një dalje e gazit të lëngshëm, e vetmja në të gjithë trajektoren në territorin shqiptar që do të përdoret për furnizimin e Shqipërisë, por edhe të gjithë bregdetit lindor të Adriatikut”.

Balla: Berisha ka kapur INSTAT prej fyti
Ndërsa deputeti Taulant Balla duke folur për ligjin ”Për statistikat zyrtare”, tha se, “Sot në Shqipëri INSTAT është larg të qenurit një institucion i besueshëm, pasi nuk boton statistika të vërteta”.
Sipas Ballës, INSTAT-in e ka zënë prej gryke kryeministri.

“Aktualisht informacioni statistikor zyrtar është i mangët, i vonuar dhe i manipuluar. Operatorët ekonomikë dhe publiku i gjerë kanë humbur plotësisht besimin tek Instituti i Statistikave, i cili është kthyer në një instrument në dispozicion të propagandimit të gënjeshtrave të pushtetit”. 

P/ligji për statistikat, debate Bode-Kodheli
Projektligji për Statistikat u shoqërua me debate mes maxhorancës dhe opozitës. Ministri i Financave, Ridvan Bode si dhe nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, deputetja e PS-së. Mimi Kodheli, diskutuan mbi saktësinë dhe përdorimin e statistikave zyrtare.

Kodheli theksoi se INSTAT, në varësi të Këshillit të Minsitrave, prodhon statistika në funksion të qeverisë. “Ne i kemi propozuar disa herë qeverisë të ndryshojë nenin në të cilin përcaktohet varësia e INSTAT nga Këshilli i Ministrave, për të patur një institucion të pavarur dhe të besueshëm”, tha Kodheli. Por, sipas saj, kjo kërkesë e opozitës nuk është miratuar nga maxhoranca.

“Pas qeshorit të këtij viti ne do t’i kthejmë dinjitetin dhe seriozitetin këtij institucioni kaq të rëndësishëm për qeverinë dhe publikun”, deklaroi Kodheli.

Por ministri i Financave, Ridvan Bode, hodhi poshte akuzat e opozitës. Sipas tij, INSTAT prodhon statistika të besueshme, mbi të cilat edhe janë hartuar politikat e suksesshme të qeverisë. Ai tha se jo vetëm statistikat e prodhuara nga INSTAT kanë vlerësuar se ekonomia shqiptare i bëri ballë presioneve të krizës globale financiare.

Sipas tij, Shqipëria është i vetmi vend në rajon që po performon pozitivisht dhe kjo është konfirmuar edhe nga raportet e Bankës Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar.
“Shqipëria zë vendin e parë sa i takon një sërë treguesish të rënëdsishëm si thithja e investimeve të huaja, niveli i eksporteve apo i investimeve në ekonominë shqiptare”, tha Bode. Këto, tha ai, janë publikuar nga këto institucione prestigjoze ndërkombëtare.
Ligji i propozuar nga qeveria parashikon që titullari i INSTAT të emërohet nga kryeministri për një periudhë pesëvjeçare, me të drejtë riemërimi vetëm një herë. Ky ndryshim u mbështet vetëm nga deputetët e shumicës, ndërsa opozita e kundërshtoi këtë variant, duke këmbëngulur që INSTAT-i të jetë një institucion që të varet nga Kuvendi dhe jo nga Kryeministri.

Sërish në rendin e ditës do të jenë edhe tre ligjet, miratimi i të cilave lidhet me statusin e vendit kandidat, përkatësisht: reforma parlamentare, pr/ligji “Për Gjykatën e Lartë” dhe ai “Për nëpunësin civil”.(LajmeShqip.com)