Lajme Shqip Thursday, 04 October 2012 16:20

Tiranë – Deputeti socialist Erjon Braçe akuzoi Ministrinë e Mbrojtjes se ka vene ne punë Kombinatin Ushtarak të Poliçanit, jashte objektit të tij të punës, që sipas Braçes është ai i demontimit të municioneve.

Sipas Braçes, Kombinati ka importuar lende te para dhe ka prodhuar municione per llogari te tregtise me nje kompani serbe.  “Sipas dokumentave të nënshkruara nga vetë drejtori i Kombinatit të Poliçanit, prej shumë vitesh, prej të paktën 10-12 vjet, Kombinati ka marrë një tjetër profil, atë të demontimit të predhave dhe të municionit, pra të demontimit, kryesisht të predhave të topave, mortajave, që kanë një kalibër shumë të madh dhe përbëjnë rrezik për popullsinë.

Ky proces natyrisht që është financuar nga partnerët tanë më të rëndësishëm nga DASH, nga NATO dhe agjenci të tjera, por ministri Imami ministria e Mbrojtjes, ndërrmarrja MEICO dhe të tjerë zyrtarë të korruptuar po tentojnë dhe i kanë dhënë Kombinatit të Policanit në mënyrë të kundraligjshme edhe profilin e prodhimit të municioneve. Kemi një set dokumentash që provojnë një marrëdhënie të re të kompanice ‘UNIMESCO’, kompani me lidhje të forta me zyrtarë brenda Ministrisë së Mbrojtjes, e cila importon barut në Çeki, importon kapsolla në Bosnje, për llogari të Kombinatit të Poliçanit dhe të prodhimit në Kombinatin e Poliçanit të fishekëve për pistoleta. Dhe pastaj akoma më tutje, Kombinati i Poliçanit ka hyrë në një marrëdhënie eksporti të këtyre municioneve të reja, të krijuara përmes marrëdhënies ne kompaninë UNIMESCO të shitjes së tyre në vende të ndryshme, duke përfshirë edhe Kosovën”, u shpreh Braçe.

Akuzat e opozitës ndaj Imamit

Deputetët socialistë në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, nga foltorja e Parlamentit përsëritën shqetësimet e tyre që lidhet me veprimtarinë, sipas tyre antiligjore, të Ministrisë së Mbrojtjes.  “Por mirë o ministri ynë i Mbrojtjes, bleve pushkë e pistoleta pa zhurmë për këta agjentët që venë në teatrin e luftimit jashtë vendit, por pajisjen e përgjimit prej 1 milionë e gjysmë euro, që bleve, për cilën teatër luftimi brenda vendit e do? Apo të duhet për teatrin e luftës që po bën opozita me këtë bandë hajdutësh që është Qeveria e Saliut”, tha deputeti socialist Gazmir Bizhga.

“Ju nuk mund ta nxirrni dot opozitën shqiptare jashtë institucioneve të shtetit shqiptar, prandaj hapeni bunkerin tuaj, atë që shqiptarët e njohin për Ministri të Mbrojtjes, me qëllim që deputetët të ushtrojnë funksionin e tyre ligjor! Në të kundërt për shkak të bunkerizimit që i ke bërë kësaj Ministrie dhe për shkak të paaftësisë së njerëzve të tu, po të fluturojnë nga dritarja e këtij bunkeri, madje dokumente të rëndësishme me siglat ‘sekret’ dhe ‘tepër sekret’, që tregojnë për veprime rrënqethëse në Ministrinë e Mbrojtjes”, tha deputeti tjetër socialist, Pirro Lutaj.

Për herë të parë me detaje ministri Arben Imani i ka dhënë përgjigje akuzave të deputetit Braçe. “Flitet për armatosje të SHIU-t. Sigurisht që SHIU merr armë dhe pajisje mbi bazën e tabelave të organizimit dhe të pajisjeve të miratuara. Bëhet fjalë për një import nga Mali i Zi. Gjeorgjia, që do të duhej të ishte vendi i destinacionit është një vend i rëndësishëm nga pikëpamja strategjike për aleancën. Në kërkesën e tyre pati edhe për një lloj municioni të cilin ne nuk e dispononim. Ndërmarrja ‘MEICO’ me ligj është ndërmarrje import-eksporti, pra që mund t’i blejë, t’i marrë këto në një vend tjetër dhe t’i rieksportojë. Zotërinjtë socialistë besojnë se 200 milionë euro municione dhe armatime. Do të ishte një gjë e shkëlqyer t’i kishim, nuk është kjo situata.Shitjet tona kanë qenë tejet më mediokre dhe më modeste se kjo shifër.Çmimi më i vogël i pasqyruar në dokumentet tona dhe për këtë jam i gatshëm që të shkoj përpara Komisionit Parlamentar është një çmim bazë i përcaktuar nga Komisioni i Çmimeve. ‘Konet’ le të lehin, karvani ecën përpara”, u shpreh Imami.

Zoti Imami tha se nuk ka asnjë njohje me treftarin e armëve Sllobodan Tesiç, që ndodhet ne listen e zeze te OKB-se, duke mohuar që ai të ketë vizituar Ministrinë e Mbrojtjes. Por nga dokumentat zyrtare të publikuara nga deputeti Braçe kompania “Moon Storm Enterprises”, e cila ka lidhur disa kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes,

Në kabllogramin e ambasadës amerikane në Bullgari mësohet se “Moon Storm Enterprises” është pronë e regjistruar në Qipro e Sllobodan Tesiç.

Gazetari i TCH: Zoti ministër, thatë që nuk e njihni Sllobodan Tesiç, ai rezulton se ka firmosur disa dokumenta, Cila është e vërteta?
Imami: E vërteta është që me Ministrinë e Mbrojtjes dhe me ministrin Imami, ky person nuk ka kontakte.
Gazetari i TCH: Por rezulton që Tesiç ka nënshkruar në kontrata…
Imami: Edhe njëherë po them, që ai të ketë vizituar një….në cilën kontratë, hajde futu…
Gazetari i TCH: …janë disa kontrata që ju keni nënshkruar për Sllobodan Tesiç…
Imami: Nuk është e vërtetë…për kë punon ti?
Gazetari: Për Top Channel
Imami: E kuptova! (T.Ch)

Kush është Tesiç?

Sllobodan Tesiç ka lindur me 21 dhjetor të vitit 1958. Ka kombësi serbe dhe një pasaportë me numër 004362756. Ekziston një listë e gjate krimesh të lidhura me këtë person, i cili ka furnizuar me armë Irakun dhe Liberinë, regjime terroriste duke shkelur embargot e armeve të OKB-së. Në vitin 2005 u përpoq të hynte në Bullgari, por duke iu referuar rezolutës 1521 e Këshillit të Sigurimit që e përfshinte në listën e zezë, ai u kthye në Serbi. ‘Moon Storm Enterprises’, kompania e lidhur me të- ishte regjistruar në Qipro. (LajmeShqip.com)