Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 13:30

Prishtinë -Aleanca Kosovare e Bizneseve bën të ditur se aktiviteti i sotëm i nënshkrimimit të memorandumeve për bashkëpunim me komunën e Preshevës dhe atë të Bujanovcit, i parashikuar për në mesditë, u anulua për shkak se në Luginën e Preshevës është shpallur gjendja e jashtëzakonshme si pasojë e reshjeve të dëborës.

Ishte paralajmëruar se në ambientet e Aleancës Kosovare të Bizneseve, në Prishtinë, do të nënshkruhej një memorandum bashkëpunimi nga kryetari i AKB-së, Agim Shahini, kryetari i komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa dhe kryetari i komunës së Bujanovcit, Shaip Kamberi.

Këto marrëveshje të rëndësishme, që mbetet të nënshkruhen më vonë, pritet të forcojnë lidhjen mes institucioneve të pavarura ekonomike dhe institucioneve komunale e shtetërore në punën e tyre për lobim dhe mbrojtjen e interesave të biznesit vendor.

Këto memorandume janë në vijueshmëri e përpjekjeve të AKB-së për të rritur bashkëpunimin dhe shkëmbimet tregtare në mbarë hapësirën shqiptare dhe më gjerë në tregun global.

Nënshkrimi i këtyre marrëveshjeve të bashkëpunimit, gjithashtu pritet të sjellë një hap të mirë për rritjen e bashkëpunimit mes bizneseve të Kosovës dhe atyre të Luginës së Preshevës. (LajmeShqip.com)