Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 12:25

Prishtinë- Qytetarët e Prishtinës sot kanë mbetur pa ngrohje si pasojë e mungesës së mazutit. Nëpërmjet një komunikate, NP “Termokos” pasi shpreh keqardhje, njofton se sot në orët e paradites nuk ka arritur t’u ofrojë ngrohje konsumatorëve të vet, për shkak të vonesës së autoboteve me mazut, si pasojë e përkeqësimit të motit.

Pritet që gjatë ditës sapo të krijohen kushtet për qarkullim normal rrugor autobotet me mazut të arrijnë në “Termokos”, dhe në orët e pasdites të vazhdojë furnizimi normal me ngrohje.

Furnizimi me ngrohje në orët e pasdites do të zhvillohet sipas orarit, që është aplikuar gjatë ditëve të kaluara, thuhet në fund të komunikatës.

Reshjet e pandërprera të borës gjatë ditëve të fundit kanë vështirësuar qarkullimin në të gjitha rrugët e Kosovës. Ndërkaq, ende vazhdojnë të mbeten të bllokuara për mjete të rënda transportuese shumica e rrugëve nacionale, derisa vështirë të kalueshme janë edhe për mjetet e lehta qarkulluese.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka thënë se të gjitha rrugët kryesore urbane janë të kalueshme por me vështirësi, megjithatë, sipas tij, ende ka rrugë të bllokuara. “Rruga Pejë-Rozhajë ende mbetët e bllokuar për mjetet e rënda transportuese, mbetet e bllokuar rruga për Rugovë në rajonin e Pejës, rrugët në Shalë të Bajgorës. Po ashtu ka bllokime të rrugëve nëpër fshatra që kryesisht janë malore”, ka thënë Kelani.

Sipas tij, rrugët në nivel Kosove që janë të vështirësuara për t’u kaluar janë rruga për pikëkalimin Mutivoda, tek Dheu i Bardhë, Glloboçicë, rajonin e Batllavës dhe disa zona të Gollakut, Dragashit dhe pjesë të tjera që janë në viset malore. Sipas tij, vlen të përmendet se për shkak të vështirësive nëpër rrugët e Kosovës “është lajm i mirë që të hënën nuk ka pasur aksidente me fatalitet përpos disa të tjerave me dëme materiale”.