Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 08:05

Mitrovicë – Serbët janë të gatshëm të paguajnë tatimin dhe akcizën në dy pikat kufitare G1 Jarinje dhe G31 Bërrnjak, por paratë duhet të mbeten në veri, kanë thënë zyrtarë të Qeverisë së Serbisë, duke paralajmruar se nuk do të lejojnë doganierë shqiptarë në veri të Kosovës.

Serbët në veri të Kosovës janë të gatshëm të paguajnë akcizat dhe tatimet, por me kusht që paratë të mbeten në veri dhe me këto para “të zhvillohen udhëheqjet lokale”, ka thënë ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq.

Ai ka paralajmëruar se Qeveria e Serbisë nuk do të lejojë doganierë në dy pikalimet administrative në veri të Kosovës.

“Nuk mund t’i lejojmë doganierët e Kosovës që të jenë në vendkalimet në veri, që të hyrat e mbledhura aty të shkojnë në buxhetin e Kosovës”, ka thënë Bogdanoviq.

Ministri i Qeverisë së Serbisë thotë se marrëveshja për vulat doganore nuk do të thotë edhe marrëveshje për G1 dhe G31. Sipas tij “Marrëveshja për vulat doganore nuk do të thotë se është arritur marrëveshja edhe për doganat dhe pagesat në pikat kufitare 1 dhe 31 në veri”.

“Ne edhe këtë problem dëshirojmë ta zgjidhim me dialog dhe marrëveshje, por jo në dëm të serbëve në veri të Kosovës dhe shtetit të Serbisë”, ka pohuar Bogdanoviq.