Lajme Shqip Tuesday, 23 August 2011 13:12

Mitrovicë – I ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq, ka kërcënuar shtetin e Kosovës me luftë, nëse ndërmerr ndonjë aksion në veri të Kosovës.

Serbia i merr shumë seriozisht paralajmërimet e pushtetit në Prishtinë se do të zgjerojë veprimin e institucioneve të Kosovës në veri të Kosovës dhe këtë para 15 shtatorit, ka thënë Ministri për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq.

“Duhet seriozisht të kuptojmë retorikën që vjen nga Prishtina, së paku ne që jetojmë në Kosovë, sepse përvoja na mëson se duhet të jemi të kujdesshëm, se duhet të përcjellim situatën”, ka thënë Bogadanoviq, i cituar nga mediat serbe në veri të Kosovës.

“Serbia është e gatshme të reagojë në aksionin eventual të ri të Prishtinës në veri të Kosovës dhe ka precizuar se kjo nuk do të nënkuptonte zbatimin e dhunës, meqë të gjithë e dinë se në Kosovë nuk kemi as ushtri as polici”, ka thënë Bogdanoviq.

Beogradi, as pas 15 shtatorit, kur skadon marrëveshja e Qeverisë së Serbisë dhe KFOR-it për veriun e Kosovës, nuk do të lejojë që shteti i Kosovës të jetësohet në veri, ka thënë ministri i Serbisë.

“Nuk do të lejojmë që doganierët e Kosovës të jenë në kalimet administrative dhe nuk kemi asgjë kundër asaj që të kontrollohet, që të paguhet TVSH-ja. Por. sigurisht se kjo nuk do të shkojë në buxhet të Prishtinës dhe ne që nuk e njohim shtetin e Kosovës, në këtë mënyrë nuk do ta financojmë, dhe këtë sigurisht nuk do të lejojmë”, ka thënë Goran Bogdanoviq. (LajmeShqip.com)