Lajme Shqip Thursday, 31 March 2011 12:56

Tiranë – Ministri i Financave, Ridvan Bode akuzoi sot pushtetin vendor se nuk po merr përsipër menaxhimin e furnizimit me ujë të popullatës, kompetencë e cila prej disa vitesh iu është deleguar njësive vendore.

Bode tha se “si rezultat i kësaj situate, në disa prej bashkive të mëdha si Tirana apo Durrësi, një shumë e madhe fondesh të akorduara nga Buxheti i shtetit apo edhe nga institucionet ndërkombëtare financiare përmes kredive të kontraktuara nga qeveria, janë ngrirë”.

Por, ministri i Financave pohoi se qeveria qendore vijon të mbulojë me investime rrjetet i furnizmit me ujë e ato të kanalizimeve të popullatës edhe pse këto janë kompetenca të pushteti vendor.

“Angazhimi i qeverisë për kryerjen e investimeve për rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve ka çuar në rritjen e masës së investimeve publike që janë kryer”, tha Bode.

Bashkia e Tiranës nuk pranoi të merrte menaxhimin e ujësjellësit të Tiranës sepse nuk mund të bënte menaxhimin e këtij shërbimi kaq jetik për qytetarët, tha ai.

“Vetëm përmes menaxhimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Ujësjellës-Kanalizimeve u bë i mundur furnizimi me ujë i qytetarëve të Tiranës”, tha Bode.

Sipas tij, e njëjta situatë është edhe në bashkinë e Durrësit.