Lajme Shqip Thursday, 14 July 2011 11:46

Tiranë – Ministri i Financave, Ridvan Bode, deklaroi të enjten se bashkërendimi i punës së institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe pastrimit të parave, ka rritur cilësinë e hetimit dhe ndjekjes penale kundër këtyre fenomeneve.

“Kjo veprimtari intensive ka patur ndikim të drejtpërdrejtë në krijimin e një klime të përshtatshme për parandalimin, investigimin dhe goditjen e veprave kriminale, gjë që dëshmohet me rritjen, dukshëm, të numrit të rasteve të ndëshkimeve gjatë viti 2011”, tha ministri Bode në ceremoninë e zhvilluar në përmbyllje të programit “Sfida e Mijëvjeçarit”, në të cilin, prej 2 vitesh kanë marrë pjesë 6 institucione të vendit.

Ai bëri të ditur se institucionet e varësisë së ministrisë së Financave kanë analizuar dhe dërguar për investigim të mëtejshëm në agjencitë e zbatimit të ligjit një numër të konsiderueshëm rastesh të investigimeve administrative për pastrim parash nga grupet kriminale në rrethe të ndryshme të vendit dhe në nivel ndërkombëtar, si dhe të ardhurave të siguruara nga veprimtari korruptive të personave të ekspozuar politikisht në nivele të larta, etj.

“Krijimi i njësive të përbashkëta hetimore rajonale, i mundësuar nga ky program, ka qenë një hap i rëndësishëm në funksion të konsolidimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dhe bashkërendimit të institucioneve dhe njëkohësisht një shprehje e qartë e vullnetit të qeverisë për luftën pa kompromis kundër aktiviteteve kriminale”, theksoi Bode.

Programi ka si qëllim luftën ndaj korrupsionit, krimit ekonomik financiar e krimit të organizuar dhe në kuadër të këtij programi është krijuar edhe njësia Task Forcë.