Lajme Shqip Friday, 20 September 2013 14:23

Tiranë-Mbledhja e parë e Kryesisë së PS pas betimit të qeverisë së re të majtë nuk ka kaluar pa debate dhe kundërshtime. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i ka komunikuar Kryesisë ndarjen që ai kishte vendosur për drejtimin e komisioneve parlamentare, të cilat do të miratohen në seancën e radhës. Në mbledhjen që zgjati rreth një orë, jo të gjithë anëtarët e Kryesisë ishin dakord me ndarjen që ishte përcaktuar. Ben Blushi, i propozuar nga Rama si kryetar i Komisionit të Jashtëm, e ka refuzuar dhe nuk ka pranuar që të jetë kryetar i asnjë komisioni parlamentar. Mësohet se Blushi ka thënë se nuk është i interesuar që të jetë kryetar komisioni, por preferon të jetë deputet i lirë. Po ashtu edhe deputetja Valentina Leskaj, e propozuar si nënkryetare e Komisionit të Medias, nuk e ka pranuar këtë post. “Kam qenë kryetare e këtij komisioni në opozitë, s’mund të jem nënkryetare tani në maxhorancë”, mësohet të ketë thënë Leskaj. Edhe anëtari i Kryesisë Taulant Balla nuk ka pranuar të jetë nënkryetar i Komisionit të Integrimit. Balla mësohet të ketë kërkuar drejtimin e Komisionit të Sigurisë, por kryetari i Partisë Socialiste është përgjigjur se kryesimin e këtij komisioni ia ka premtuar Spartak Brahos nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Kryetari i Partisë Socialiste i ka komunikuar Kryesisë se postin e nënkryetarit tjetër të Kuvendit do ta mbajë aleati i PS, Vangjel Dule, kryetar i PBDNJ-së, si vlerësim ndaj mandatit të marrë në zgjedhje. Rama u ka komunikuar anëtarëve të Kryesisë se është rënë dakord me aleatin strategjik që Kuvendi të ketë vetëm dy nënkryetarë, dhe jo tre, sa kishte legjislatura e kaluar. Sekretarët e Kryesisë, Bashkim Fino dhe Fatmir Xhafaj, kanë kërkuar që PS të përfaqësohet me nënkryetar në Kuvend, pasi Kryesia e Kuvendit është ndarë mes LSI-së, PD dhe PBDNJ-së dhe është hera e parë që PS, si në maxhorancë, ashtu dhe në opozitë, nuk ka një post nënkryetari. Rama e ka justifikuar këtë me zbatimin e marrëveshjes parazgjedhore me aleatët, si PBDNJ, që i ishte premtuar një post ministror. Kryesia ka miratuar kryetarët e komisioneve që PS drejton: Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Çështjeve Ligjore; Arta Dade, kryetare e Komisionit të Jashtëm; Erjon Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë; Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese. Kryesia miratoi dhe kandidaturën e PS për kreun e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo.

 

Krerët e komisioneve:

Fatmir Xhafaj, kryetar i Komisionit të Çështjeve Ligjore

Arta Dade, kryetare e Komisionit të Jashtëm

Erjon Braçe, kryetar i Komisionit të Ekonomisë

Eduard Shalsi, kryetar i Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese

Spartak Braho, kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare

Alfred Peza, nënkryetar i Komisionit të Medias

Klodiana Spahiu, nënkryetare e Komisionit të Shëndetësinë

 

Nënkryetar Kuvendi:

Vangjel Dule, nënkryetar i Parlamentit

Delegacionet e Kuvendit

Taulant Balla, Komiteti Ndërparlamentar Shqipëri-BE

Valentina Leskaj, kryetare e Delegacionit të KiE-së

Pandeli Majko, kryetari i Delegacionit të Kuvendit me NATO-n

Arta Dade, kryetare e delegacionit të parlamentit në OSBE

Namik Dokle, kryetar i Delegacionit të Detit të Zi

 

Kryesia e Grupit të PS:

Kryetar – Gramoz Ruçi,

Nënkryetarë – Vasilika Hysi, Taulant Balla, Eduard Shalsi, Erjon Braçe