Lajme Shqip Sunday, 02 June 2013 13:01

Prishtinë – “Unë mendoj se opinioni kosovar duhet ta kuptojë se faji është individual. Nuk ka faj kolektiv. Faji mund të jetë i individëve që kanë bërë krime por jo i gjithë grupit. Nganjëherë në gazetat kosovare vërej se ka mungesë kuptimi për këtë. Çdokush duhet ta dijë se nëse ka të dhëna për një krim, qoftë krim lufte apo çfarëdo krimi, ai duhet të hetohet. Nuk duhet lënë pa u hetuar krimi edhe nëse personi që hetohet ka qenë pjesë e UÇK-së. Akuzat për fajet e individëve nuk e dëmtojnë imazhin e UÇK-së”, ka thënë Peter Blomeyer, ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

Nëse janë të pafajshëm, pjesëtarët e UÇK-së që aktualisht po akuzohen për krime lufte, sipas ambasadorit gjerman në Kosovës Peter Blomeyer, nuk kanë se përse të brengosen.
“Nëse janë të pafajshëm këto hetime do të pastrojnë reputacionin e tyre”, ka thënë Blomeyer.
Në një intervistë për gazetën “Tribuna”, ambasadori i shteti më të zhvilluar ekonomikisht në BE, ka folur gjerë e gjatë për marrëveshjen mes Prishtinës dhe Beogradit, si dhe për kushtet që Gjermania ia ka vënë Serbisë nëse do që ta marrë datën e negociatave të anëtarësimit.
Sipas Bloemeyer, deri më 15 qershor, Prishtina dhe Beogradi duhet të bëjnë hapa të dukshëm në zbatimin e marrëveshjes së prillit nëse duan vendime pozitive nga BE-ja. “Ka mbetur shumë, shumë pak kohë”, ka paralajmëruar Blomeyer.