Lajme Shqip Wednesday, 16 September 2015 22:56

Lidhja Demokratike e Kosovës e braktisi përfundimisht VLAN-in, pas rekomandimeve të Presidentes, të marra në Washington, e të cilat parashihnin lënien jashtë qeverisë Lëvizjen Vetëvendosje, që atëkohë udhëhiqej nga Albin Kurti.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Kujtim Shala, i cili ishte njëri ndër ithtarët e VLAN-it, ka rrëfyer për Rubikonin prapaskenat e gjithë proceseve rreth Bllokut, deri te marrëveshja e koalicionit mes dy kundërshtarëve më të mëdhenj politikë, LDK-së dhe PDK-së, raporton Koha.net.

Shala ka thënë se realisht ka parë gjasa të një bashkëpunimi të mirëfilltë me Vetëvendosjen, por që sipas tij, e gjitha mori në thua për faktin që nuk kishte zgjidhje, pasi rekomandimet që vinin nga ndërkombëtarët nuk e donin VV në pushtet.

Madje, ai ka theksuar se këtë ia kishin bërë me dijeni Vetëvendosjes në takimin e fundit, parti e cila më ngulm i kishte kërkuar LDK-së që të mos lidhej në koalicion me Thaçin.

Shala, i cili njihet si krahu i djathtë i Isa Mustafës, ka thënë se marrëveshjen me PDK-në e bënë pasi morën bekimin e Këshillit të Përgjithshëm edhe faktit se LDK-ja donte të qeveriste, pavarësisht që nuk ishte e para.

Ndërsa tha që pranoi të marrë poste në këtë koalicion edhe pse kishte votuar kundër, për faktin se dega nga e cila vinte kishte insistuar për një gjë të tillë.

Shtëpia e zëvendëskryeministrit Shala mbeti andej kufirit me Malin e Zi

Sa i përket demarkacioni të kufirit me Malin e Zi, edhe vetë ministri thotë se kishte menduar se ishte më larg sesa që e ka vënë komisioni, madje ai ka theksuar se shtëpia e tij ka mbetur në pjesën e Malit të Zi.

Por Shala ka potencuar se të gjitha hartat dhe dokumentacionet që ekzistojnë, madje edhe ato të komunës së Pejës, e paraqesin kufirin aty ku e ka vendosur Komisioni për Demarkacionin.

Sa i përket Asociacionit të Komunave Serbe, ai thotë se nuk ka parë asnjë bazë ligjore që u jep fuqi ekzekutive, por ka parë një bazë politike për rritjen e mirëqenies së asaj pjesë të Kosovës.

Shala, i cili është edhe ministër i Kulturës dhe Sporteve, ka komentuar gjithë ato zhurma që u bënë për punën e tij dhe atë që po quhet reformim i Ministrisë së Kulturës.

Shkurtimin e subvencioneve e ka arsyetuar me mungesën e bazës ligjore dhe faktin se është dashur të shlyejnë borxhet e lëna nga paraardhësi i tij.

Ndërkaq, sa i përket mosmarrëveshjeve që kanë me Qendrën për Art Bashkëkohor “Stacion”, e cila nuk po ua dorëzon objektin e Muzeut, Shala ka thënë se kjo çështje me nuk i takon atij e as Muzeut të Kosovës, por institucioneve të rendit, pasi konsiderohet se ajo hapësirë është e uzurpuar.

Ka mohuar të ketë shpenzuar 2 mijë euro për të parë ndeshjen Shqipëri – Danimarkë, duke theksuar se gjatë këtij udhëtimi personalisht kishte shpenzuar 139 euro e 33 cent, ndërsa ka thënë se gruaja e tij ishte punësuar në ministri në vitin 2009, por që realisht ka pasur kontratë mbi vepër.