Lajme Shqip Wednesday, 19 August 2015 08:03

Ka më shumë se tri javë që në Klinikën e Kardiologjisë nuk punon aparatura e koronarografisë, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo aparaturë është e vetmja në sistemin publik në Kosovë. Aparatura nuk punon, pasi është në defekt dhe për riparimin e saj pacientët duhet të presin në afat të pacaktuar, nëse nuk kanë mundësi të drejtohen te privatët.

Në QKUK thonë se nuk e dinë saktë se kur kjo aparaturë do të funksionalizohet.

Kontratë për servisimin e kësaj aparature ka kompania “Medical Group”, por kjo kompani thotë që nuk i di saktë arsyet e prishjes.

Në një shkresë të cilën e ka siguruar gazeta, e në të cilën kompania “Medical Group” ia shpjegon menaxhmentit të QKUK-së problemet e kësaj aparature, nuk flitet për ndonjë datë të saktë se kur kjo aparaturë do të rifunksionalizohet.

Mosfunksionalizimi i kësaj aparature bllokon punën në Klinikën e Kardiologjisë, pasi që pothuajse asnjë intervenim në zemër nuk mund të bëhet pa kaluar pacienti në koronarografi.