Lajme Shqip Friday, 07 September 2012 14:51

Tiranë – Dega e Partisë Socialiste në Greqi e konsideron tepër shqetësuese situatën e krijuar nga bllokimi i liçencave të 22 kompanive të transportit të udhëtarëve mes Greqisë dhe Shqipërisë.

Në një deklaratë për shtyp të kryetarit të degës së PS-së në Greqi, Artjan Qirici thuhet se “përmes disa ndryshimeve të shpejta dhe të pakonsultuara të legjislacionit, autoritetet greke kanë ngritur barriera artificiale për kompanitë e transportit shqiptar, duke i detyruar ato që të kenë partnerë grekë, teksa këta të fundit e kanë të pamundur të përmbushin detyrimet që imponon legjislacioni”.

“Heqja e liçencës dhe bllokimi i punës për kompanitë shqiptare është një akt me pasoja tepër të rënda si për transportin e mijëra emigrantëve shqiptarë që lëvizin mes dy vendeve, ashtu dhe për qindra të punësuar në Greqi e Shqipëri që mbajnë familjet e tyre duke punuar në sektorin e transportit të udhëtarëve”, thuhet në deklaratë.

PS, dega Greqi, i bën thirrje qeverisë Shqiptare që të ndërhyjë në mënyrë diplomatike për të mbrojtur interesat e kompanive dhe mijëra emigrantëve shqiptarë që mbështeten tek ky sektor për mbijetesë ekonomike dhe për transport.(LajmeShqip.com)