Lajme Shqip Tuesday, 22 September 2015 15:41

Ka dështuar edhe përpjekja e radhës për vazhdimin e seancës së Kuvendit të Kosovës, në të cilën  kryeministri Isa Mustafa është dashur të raportonte në lidhje me marrëveshjet e arritura në Bruksel me Qeverinë e Serbisë.

Ishin deputetët opozitarë, kryesisht ata të Lëvizjes Vetëvendosjes dhe disa të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilët sapo nisi seanca u ngritën dhe bllokuan foltoren.

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri tha se seanca nuk mund të vazhdojë përderisa kryeministri të mos e tërheqë nënshkrimin për formimin e “Zajednicës” (Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe).

Marrëveshja për themelimin e këtij Asociacioni u arrit në Bruksel, më 25 gusht, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

Në këso rrethana, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli shpalli edhe një pauzë dhe ftoi shefat e grupeve parlamentare të diskutojnë për tejkalimin e gjendjes.

Pauza e parë u shpall në orët e paradites, kur disa nga deputetët e opozitës, hodhën vezë në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, transmeton REL.

Lëvizja Vetëvendosje, në një postim të sajin në rrjetin social Facebook, ka thënë se me këtë veprim, “ia kanë ndalë gënjeshtrën Isa Mustafës, përmes së cilës ai synonte që edhe njëherë t’i gënjejë qytetarët dhe deputetët për marrëveshjet e Brukselit. Isa Mustafa sërish po i trajton deputetët dhe qytetarët si të padijshëm”.