Lajme Shqip Friday, 15 April 2011 09:06

Prishtinë – Sot (e premte) në Bruksel do të zhvillohet raundi i tretë i dialogut teknik midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.

Tema që do të diskutohen në këtë raund janë: Energjia elektrike, Telekomunikacioni dhe Liria e lëvizjes, bëhet e ditur nga burime zyrtare të qeverisë.
Delegacionit i Republikës së Kosovës kryesohet nga zv/kryeministrja Edita Tahiri.

Duke folur për dy raundet e deritashme të bisedimeve, Tahiri ka theksuar në Komisionin e Punëve të Jashtme të Kuvendit të Kosovës se në to është biseduar për kthimin e dokumentacionit kadastral dhe regjistrat civilë, të cilët janë marrë me forcë në përfundim të luftës në Kosovë, më 1999, si dhe për çështje të energjetikës dhe të telekomunikacionit.

Ajo ka pohuar se janë afruar qëndrimet për regjistrat civilë dhe për energjetikën, por se janë shumë larg sa iu përket regjistrave kadastralë dhe çështjeve të telekomunikacionit. 
Tahiri ka theksuar se në raundet e tjera do të bisedohet për të pagjeturit, për demarkacionin e kufirit dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve. Ajo, ndërkaq, është shprehur e bindur se dialogu i filluar do të jetë i dobishëm për të dy palët biseduese.