Lajme Shqip Thursday, 01 December 2011 09:58

Bruksel – Dialogu mes delegacionit të Kosovës dhe të Serbisë përfundoi pas 12 orëve bisedime dhe do të vazhdojë të enjten në mëngjes, kanë deklaruar zyrtarë të BE-së.

Takimi i sotëm maratonik nuk ka prodhuar asnjë marrëveshje.

Por, raportohet se zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se është arritur “një përparim i mirë” në temën për menaxhimin e integruar të kufijve.

Shefja e delegacionit të Kosovës, Edita Tahiri, ka deklaruar se çështja e menaxhimit të integruar të kufirit duhet të trajtohet në përputhje me standardet evropiane.

“Ne nuk kemi arritur rezultate konkrete, por shkëmbyem idetë”, ka thënë Tahiri. Sipas saj, delegacionet nesër do të prekin edhe çështjen e telekomunikacionit.

Kurse, shefi i delegacionit të Serbisë Borisllav Stefanovic, ka thënë pas takimit se shumica e kohës i është përkushtuar menaxhimit të kufirit.

“Ne u përpoqëm për të kapërcyer dallimet që ekzistojnë mes nesh, por delegacioni i Prishtinës në mënyrë të përsëritur kërkon maksimalen”, ka thënë ai.

Sipas Stefanovicit, problemi kryesor është se Prishtina insiston që kujfitë administrativë të trajtohen si kufij shtetëror.

“Unë mendoj se askush nuk ka provuar ndonjëherë për të bërë gjithçka, siç ne u përpoqëm, por është e pamundur që njëra palë të marr gjithçka dhe tjetra të humbasë çdo gjë”, ka deklaruar Stefanovic.