Lajme Shqip Saturday, 29 December 2012 17:36

Prishtine – Në një intervistë për “Zërin e Amerikës” në gjuhën serbe, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se me kryeministrin serb Ivica Daçic do të takohet në janar për të biseduar për eliminimin e strukturave ilegale të sigurisë në veri të vendit.

Thaçi po ashtu ka thënë se do te japë edhe ofertën më të mirë për qytetarët serbë në veri: ata do të kenë të njëjtat të drejta edhe në jug e edhe në veri, nuk do të ketë standarde të dyfishta, por do të jetojnë me të drejta të barabarta.

Daçiq ka thënë se këtë propozim do ta dëgjojë më 17 janar, por nuk beson se do ta pëlqejë.

“Nuk e di se ç’po përgatit ai… Unë pres që kjo ofertë të jetë në përputhje me atë se serbët janë për diçka unike, por nuk besoj se Thaçi do të propozojë autonomi apo status special”, tha kryeministri serb, transmeton Telegrafi.com.

Se me kë do të ulet në tavolinën e bisedimeve, me Thaçin apo Ramush Haradinajn, për Daçiqin është krejt njësoj.

“Nuk jemi ne këtu të zgjedhim se me kë do të flasim nga pala tjetër. Tash më detyroni të them se Thaçi është më i mirë se Haradinaj… Do të dukesha qesharak nëse them kështu”, tha ai.

Këto reagime vijnë pas intervistës së Thaçit, ku ai kishte deklaruar se Daçiqi është qytetar i Kosovës.(P.O/LajmeShqip.com)