Lajme Shqip Thursday, 05 May 2011 11:43

Prishtinë – Në Prishtinë mbrëmë u njoftua zyrtarisht se raundi i katërt i dialogut teknik Kosovë-Serbi do zhvillohet më datë 17 dhe 18 të këtij muaji në Bruksel, ku janë zhvilluar edhe tre raundet e deritashme, duke filluar nga 8 marsi i këtij viti.

Zëvendëskryeministrja e Republikës së Kosovës, Edita Tahiri, takoi dje në Prishtinë ndërmjetësin e Bashkimit Evropian për dialogun teknik, Robert Cooper.

“Gjatë takimit u bisedua për përgatitjen e axhendës për raundin e katërt të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mbahet më 17 dhe 18 Maj në Bruksel, ku temat kryesore përfshijnë çështjen e të pagjeturve, çështjen e trashëgimisë kulturore dhe çështjen e njohjes së diplomave shkollore dhe universitare”, njoftoi zyra e shtypit e qeverisë kosovare.

Ndërsa, media nga Beogradi njofton se shefi i delegacionit serb Borislav Stefanoviç ka thënë se ka përkrahjen e kreut shtetëror për vizitë Prishtinës para vazhdimit të negociatave në Bruksel.

Zvëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, duke iu përgjigjur interesimit të medias pas një mbledhje të qeverisë, pohoi se Stefanoviç “ka paralajmëruar një vizitë zyrtare” dhe se do t’i jepet leja për të ardhur në Kosovë, sikundër edhe në vizitën që ka zhvilluar më parë. “Jemi të gatshëm ta takojmë, të bisedojmë për raportet ndërshtetërore”, ka shtuar ai.