Lajme Shqip Saturday, 29 October 2011 15:16

Tiranë – Ligji për menaxhimin e mbetjeve, që u kthye ditë më parë nga Presidenti Bamir Topi për rishqyrtim në Kuvend, nuk është ligji i importit të mbetjeve dhe as nuk ka për qellim paresor te lejoje importin e mbetjeve. “Për çështjen e lejimit të importit të mbetjeve jo të rrezikshme, ligji është i përputhur jo vetëm me legjislacionin europian, por edhe me atë të vendeve fqinje si Maqedonia, Mali i zi, Serbia, Kroacia, Bosnja, Kosova etj. Nëse ky ligj është antikombëtar, antieuropian dhe antinjerëzor, siç thotë z. Rama, atëherë edhe direktiva europiane është antikombëtare, antieuropiane dhe antinjerëzore, edhe legjislacionet e vendeve të rajonit janë antikombëtare, antieuropiane dhe antinjerëzore”, tha zv.ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Taulant Bino.

Sipas tij, ligji për menaxhimin e mbetjeve ndalon importin në Shqipëri të mbetjeve toksike,

“Legjislacioni i ri në fushën e mbetjeve është shumë më konservator sesa ai i mëparshmi. Në ndryshim nga kuadri ligjor pararendës, ligji i ri hyn në sqarimin e një pjese të procedurave të importit duke i forcuar ato në raport me të shkuarën. Vendosja në ligj e procedurave provon se importi është më i kontrolluar se më parë. Çdo kush që do të dëshironte më pas të lehtësonte procedurat e importit, do t’i duhej më parë të ndryshonte ligjin”, shtoi zv.ministri Bino.

Ai sqaron se ligji nuk flet për import plehrash, por mbetjesh lëndë të parë. “Ky koncept sqarohet më shumë në nenin 8 të ligjit, i cili shprehet, ndër të tjera, se një mbetje e caktuar pushon së qeni mbetje, kur ka pësuar një operacion rikuperimi, përfshirë riciklimin, dhe vetëm në qoftë se substanca ose objekti përdoret gjerësisht për qëllime të caktuara, ekziston tregu apo kërkesa për një substancë ose objekt të tillë dhe substanca plotëson të gjitha kërkesat përkatëse për mbrojtjen e mjedisit e të shëndetit. Pra, importi i mbetjeve nuk është import ‘plehrash’, është import i lëndës së parë për industrinë, sikurse tulla për ndërtimin apo lëkura për prodhimin e këpucëve dhe pëlhura për prodhimin e konfeksioneve”, shtoi Bino.

Ndërkohë, ky ligj, sipas tij, i vjen në ndihmë industrisë së riciklimit. “Ligji i ri i synon t’i japë vlerë këtij tregu. Ai vendos më në fund në pikën 3 të nenit 18, detyrimin e njësive të qeverisjes vendore për të ndarë mbetjet në burim. Viti 2018 është afati i fundit për ndarjen e tyre. Bashkitë e komunat do të jenë tashmë të detyruara të merren seriozisht me riciklimin. Ky proces ka, sigurisht, kostot e veta fillestare, por në fund ai do të rezultojë fitimprurës jo vetëm për autoritetet vendore, por edhe për qytetarët e bizneset që do të paguajnë më pak për tarifën e pastrimit”, sqaroi më tej Bino.

Industria e riciklimit heq aktualisht nga mjedisi shqiptar pikërisht 10-30% të mbetjeve të vendit.  Kjo industri do t’i jepte vlerë 100% mbetjeve tona nëse ne të gjithë, pushtetarë e qytetarë, do t’i ofronim lëndën e parë që ajo kërkon. Ligji është hartuar me kërkesën, ekspertizën e financuar dhe të mbikqyrur nga Bashkimi Europian nëpërmjet projektit INPAEL, transpozon në mënyrë të plotë Direktivën Europiane Kuadër për Mbetjet dhe ka marrë parasysh dhe sugjerimet e ekspertëve më të mirë të mjedisit në Shqipëri.