Është pika kryesore e udhëtimeve ndërurbane në vend.
Muaj më parë, kryetari Shpend Ahmeti ishte i pari që bleu një biletë digjitale në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, raporton 038 i KTV-së.
Për destinacion kishte Pejën dhe për qëllim sistemi digjital kishte rritjen e të hyrave.
Por, bileta që bleu kryetari ishte e vetmja që u shit këtu. Kjo ndërmarrje komunale vazhdon me të vjetrën. Biletat blihen brenda në autobusë.
Nëpër sportele ka bileta vetëm për Tiranë, Shkup e Beograd.
E tëra duket të ketë qenë keqkuptim. Atë ditë, sipas kabinetit të kryetarit, Ahmeti po përuronte sistemin e biletimit në laurën e stacionit për hyrje dalje të automjeteve.
Zëdhënësja e Komunës, Pacolli tha se në fund të vitit nis shitja e biletave për udhëtime ndërurbane në stacion.
Kjo pritet të rrisë të hyrat e kësaj ndërmarrjeje, e cila gjatë muajve të parë të këtij viti fitoi para të majme nga shitja e biletave për Beograd, ku nga secila biletë fitonte 50 centë.
E numri i atyre që lanë vendin nga ky stacion kaloi në qindra mijëra persona.