Lajme Shqip Wednesday, 17 October 2012 10:26

KOSOVË – Ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, ka thënë se ndarja e Kosovës nuk është opsion për Bashkimin Evropian.

“Ajo çfarë është e qartë nga ana jonë, është se ndarja e Kosovës nuk është opsion. Kam dëgjuar nga Beogradi deklarata shqetësuese në këtë drejtim. Mendoj se është e rëndësishme që zyrtarët serbë të kuptojnë se ky është një qëndrim i rëndësishëm”, ka thënë Bildt për mediat serbe.

I pyetur se kush do të takohet dhe do t’i caktojë detajet e negociatave të mëtejshme ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Bildt ka thënë se do të ketë kontakte të nivelit të lartë në ditët e ardhshme.

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, njëherësh kryenegociatore në bisedimet me Serbinë, ka thënë të martën se dialogu nuk mund të vazhdojë nëse Beogradi nuk zbaton marrëveshjet e arritura.

Kosova dhe Serbia kanë arritur shtatë marrëveshje në kuadër të dialogut teknik, por zbatimi i tyre lë për të dëshiruar. (LajmeShqip.com)