Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 13:57

Tiranë – Shefi i ri i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi, bëri sot betimin para Presidentit Bamir Topi, njëkohësisht edhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura shqiptare.

Gjatë kësaj ceremonie ishin të pranishëm ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral Major, Maksim Malaj dhe drejtues të tjerë të lartë të ushtrisë shqiptare.

Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit të Presidencës lexoi dekretin presidencial dhe formulën e betimit dhe më pas kreu i shtetit i dorëzoi Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshit dekretin e emërimit të tij në detyrën e rëndësishme në krye të Forcave të Armatosura. Në përfundim të ceremonisë, Topi zhvilloi një takim me Shefin e ri të Shtabit të Përgjithshëm të FA shqiptare, Gjeneral Brigade, Xhemal Gjunkshi si dhe paraardhësin e tij, Gjeneral Major, Maksim Malaj.

Ai shprehu vlerësimin për karrierën e rëndësishme të z. Gjunkshi, duke e cilësuar atë si një personalitet të ushtrisë shqiptare, që vërtet e meriton plotësisht të jetë në këtë pozicion shumë të rëndësishëm të Shefit të Shtabit të FA të Republikës së Shqipërisë.

Gjithashtu, Presidenti falënderoi zotin Malaj për të gjithë kontributin e tij në pozicionin e Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura në një periudhë, sipas tij, kur Shqipëria u bë anëtare e Aleancës më të madhe të paqes dhe sigurisë në botë, kur ushtria shqiptare ka bërë një progres të jashtëzakonshëm dhe është drejtuar në një mënyrë profesionale.

“Ajo ka qenë pjesëmarrëse në msione të rëndësishme ndërkombëtare përkrahë aleatëve tanë më të mëdhenj dhe padyshim ka arritur dimensionet e veta duke u rritur profesionalisht. Ne sot krenohemi vërtet me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, u shpreh Topi.

Duke i uruar suksese Shefit të ri të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, Presidenti Topi shprehu bindjen se  Gjunkshi do të çojë përpara të gjitha arritjet që janë bërë në kuadrin e reformimit të FA.