Lajme Shqip Wednesday, 18 June 2014 13:04

“Beteja” mes policisë dhe trafikantëve lazaratas e ka kthyer fshatin në një shesh lufte. Mortaja, mitraloza të rëndë dhe të lehtë, antitanke, autoblinda e deri snajpera ne perdorim. Breshëri armësh nga grupi rebel dhe kundërpërgjigje nga forcat e policisë dhe ato speciale. 

Banorë të “ngujuar” prej tre ditësh në shtëpitë e tyre që nxitojnë të dalin sa për të blerë ndonjë gjë dhe rikthehen sërish në banesa. Banorë të dyzuar nga frika për jetën e tyre, por edhe për hashashin e kultivuar në bodrumet e shtëpive, me të cilin prej shumë kohësh kanë siguruar jetesën. Nga ana tjetër policia, RENEA dhe FNSH në bazë të një plani operacional të mirëorganizuar përpiqen që të detyrojnë kriminelët të dorëzohen dhe të mos ketë viktima. Ky është Lazarati që nga pasditja e së dielës. Dje u plagosën dy barinj dhe një efektiv i FNSH-së së Shkodrës, të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Nga të dhanë më të fundit të policisë, bëhet me dije se është mundësuar asgjësimi i rreth 70 mijë rrënjëve bimë narkotike dhe fidanë, si dhe të një sasie mbi 11 ton e 300 kg kanabis sativa, duke marrë dhe mostrat përkatëse në cilësinë e provës për ekzamimin. Gjatë orëve të mëpasme të pasdites vetëm në 7 banesa kontroll u sekuestrua një sasi prej 1.5 ton kanabis. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi të konsiderueshme municioni.

Mësohet se gjatë kontrollit të ushtruar janë sekuestruar sasi të konsiderueshme bimësh të kultivuara, boçe kanabisi, makineri për presimin e hashashit. 

Mbrëmjen e djeshme u vetëdorëzua në polici i shumëkërkuari Gate Mahmutaj. 46-vjeçari nga Lazarati, i akuzuar si kreu i bandës së trafikantëve që prej disa ditësh ka nisur sulmin me armë ndaj policisë, ka mohuar akuzat duke deklaruar se nuk ka lidhje me sulmin. Por burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur se deklaratat e Gate Mahmutaj janë kontradiktore.