Lajme Shqip Monday, 22 August 2011 15:17

Tiranë – Integrimi në NATO dhe stabiliteti janë prioritetet strategjik për rajonin, të cilat do të ndihmojnë për zhvillimin dhe sigurinë e tij. Është i domosdoshëm angazhim maksimal, profesional dhe politik për përmbushje të këtij prioriteti. Kshtu kanë porositur ministrat e Mbrojtjes të Maqedonisë dhe Shqipërisë, Fatmir Besimi dhe Arben Imami, pas takimit të sotëm në Tiranë.

“Anëtarësimi në NATO është me rëndësi të jashtëzakonshme për vendet e rajonit, ndërsa Maqedonia po i zbaton të gjitha reformat për anëtarësim sa më të shpejtë në Aleancë”, ka thënë ministri Besimi.

Ai e ka informuar kolegun e tij shqiptar se integrimi i Maqedonisë në NATO mbetet prioritet edhe në mandatin e ri që e mori paradokohe Qeveria aktuale dhe se në këtë drejtim do të angazhohen të gjitha kapacitetet profesionale dhe politike. Besimi ka shtuar se Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe vend fqinj me të cilin kemi funksionuar bashkë si pjesë e Grupit të Adriatikut, “edhe në të ardhmen do të jetë partner i rëndësishëm për ndarje të shumë përvojave dhe mësim se si të funksionohet si anëtare e NATO-s”.

Shqipëria, sipas ministrit Imami, vazhdon mbështetjen për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. “Do të punojmë në mbështetje serioze për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO duke pasur parasysh se kjo është në interes edhe për vendet e rajonit dhe për Aleancën”, ka thënë Imami.

Ndërkaq, sipas Besimit, vizita në Shqipëri është posaçërisht e rëndësishme duke pasur parasysh se ajo është kryesuese aktuale me grupin A-5, ndërsa në të cilin përveç Shqipërisë, Maqedonisë dhe Kroacisë marrin pjesë edhe Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Besimi dhe Imami dërguan mesazhe edhe për rëndësinë e stabilitetit të rajonit duke i pasur parasysh ndodhitë e fundit në veri të Kosovës.

Siguria dhe stabiliteti, porositën ata, janë të rëndësishme për investime të reja dhe për zhvillim të rajonit. Benefit i madh, theksuan ministrat, është garancia për stabilitet për shkak se anëtaret e NATO-s nuk kanë befasira nga aspekti i sigurisë, si dhe hapja e shumë mundësive për investime dhe zhvillim ekonomik.

Ministrat e mbrojtjes të Maqedonisë dhe Shqipërisë dakorduan edhe vazhdim të aktiviteteve të përbashkëta të të dy ministrive dhe armatave në trajnime të përbashkëta profesionale sipas standardeve të NATO-s. Biseduan edhe për bashkëpunimin e akademive ushtarake të Shqipërisë dhe Maqedonisë me çka do të siguronin zhvillim adekuat i programeve për trajnim të armatave.

Imami ka propozuar që Shqipëria si anëtare e NATO-s dhe pjesë e grupit A-5 ta shfrytëzojë Qendrën rajonale për trajnim ushtarak Krivollak.

Gjatë vizitës në Shqipëri, Besimi ka realizuar takim edhe me kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, ndërsa në agjendë ka të paraparë edhe takimin me presidentin Bamir Topi. (LajmeShqip.com)