Lajme Shqip Friday, 19 July 2013 14:25

Romë – Partia Socialiste zbardhi sot takimet e zhvilluara dje mes Kryeministrit të ardhshëm Edi Rama dhe kryeministrit italian si dhe përfaqësuesve të lartë të qeverisë italiane por dhe me ish kryeministrat Silvio Berluskoni, Massimo D’Alema dhe Guliano Amato.
Tema e bisedës ndërmjet Kryeministrit të zgjedhur Rama dhe Kryeministrit Italian Letta ishin forcimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, nxitja e investimeve italiane në Shqipëri krahas mbështetjes që vendi fqinj do i japë kërkesës së Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
Pas takimit me kreun e ekzekutivit italian Letta, Kryeministri i zgjedhur pati një takim të veçantë me Ministren e Jashtme Bonino dhe ish Kryeministrat Italian Berlusconi, ish Kryeministrin Amato dhe ish Kryeministrin D’Alema, raporton Shqiptarja. 
Vetë Rama, pas këtyre takimeve, tha:  “Fondacioni italian Europei është një stacion i pashmangshëm për mua, për ne, socialistët shqiptarë ku gjejmë gjithmonë derën e hapur dhe dy miq të mëdhenj të Shqipërisë Masimo D’Alemën dhe Giuliano Amaton me të cilët kemi folur për të ardhmen, për ndihmën që kërkojmë, për eksperiencën që mund të na vënë në dispozicion dhe për burimet njerëzore të paçmueshme që mund të gjejmë falë tyre në mënyrë që jo thjesht marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Italisë të shkojnë një hap më tutje por që qeverisja jonë, që politikat tona, që sidomos hapja e një perspektive të re për investimet italiane në Shqipëri të kthehen brenda katër viteve të ardhshme në një realitet të ri shqiptar.”