Lajme Shqip Monday, 02 May 2011 10:04

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha reagoi sot për vrasjen e kryeterroristit dhe liderit të Al Kaedës, Osama Bin Laden, duke e cilësuar atë si një fitore të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj terrorizimit.

Në një prononcim për mediat, kryeministri Berisha u shpreh se Bin Laden mori atë që meritonte, ndërsa ka theksuar se vdekja e tij është një lehtësim për familjarët e mijëra viktimave të 11 shtatorit.

“Kryelajmi i botës sot është eliminimi i njërës prej figurave më të zeza të historisë së njerëzimit. Njeriut që me primitivizmin dhe agresivitetin e tij mori mijëra e mijëra jetë të pafajshme në Nju Jork, por dhe në shumë vende të tjera. Ky njeri mizor donte të realizonte qëllimet më mesjetare dhe qëllimet më çnjerëzore me jetë të pafajshme”, tha Kryeministri Berisha.

Berisha e cilësoi vrasjen e Bin Laden një fitore të madhe të paqes dhe të gjithë atyre që e konsiderojnë terrorizmin si armik numër një të paqes dhe lirisë së tyre. “Këto ditë në strofkullën e tij ai mori atë përgjigje që meritonte prej vitesh”, tha Berisha, duke theksuar se kjo është një fitore e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Presidentit Barak Obama.

Kryeministri theksoi se ky është lajmi më ngushëllues për familjarët e mijëra e mijërave viktimave të pafajshme, të sulmeve që kryeterroristi Bin Laden organizoi në shumë vende të botës.