Lajme Shqip Friday, 08 April 2011 08:18

Tiranë – Kryeministri Berisha i dërgoi një mesazh urimi zonjës Atifete Jahjaga, me rastin e zgjedhjes Presidente e Republikës së Kosovës.

Në këtë mesazh, sipas Zyres se Shtypit te Kryeministrisë, Kryeministri Berisha shprehet se, “Kam kënaqësinë e veçantë që, në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’Ju përcjell urimet më të ngrohta e vëllazërore për sukses në misionin e lartë e të rëndësishëm të Presidentes së Republikës, që Ju besoi Kuvendi i Kosovës”.

“Unë kam besim të plotë se kontributi Juaj do të jetë themelor në konsolidimin e mëtejshëm të pavarësisë së Kosovës dhe në shndërrimin e saj në një faktor të rëndësishëm paqeje, stabiliteti dhe bashkëpunimi në rajon”, theksohet ne mesazh.

“Dëshiroj t’Ju siguroj për angazhimin tim dhe atë të qeverisë shqiptare për forcimin më tej të mardhënieve të shkëlqyera vëllazërore mes të dy vendeve tona dhe për të shndërruar bashkëpunimin e ngushtë e të gjithanshëm në shembullin më të shkëlqyer të bashkëpunimit në rrugën e paqes dhe prosperitetit, jo vetëm të kombit shqiptar, por të të gjithë rajonit, si dhe për ecjen përpara në rrugën e përbashkët të integrimit euroatlantik.

Duke shpresuar të kem kënaqësinë t’Ju pres sa më shpejt në Tiranë, dëshiroj t’Ju risiguroj për konsideratën time më të lartë”, perfundon mesazhi i kryeministrit Berisha.