Lajme Shqip Tuesday, 05 July 2011 12:12

Shkodër – Kryeministri Sali Berisha theksoi sot në Shkodër se “qeveria do të bëjë gjithçka që pasuritë ujore të vendit të shndërrohen në vepra energjetike për shqiptarët, pasi Shqipëria i ka të gjitha mundësitë që të bëhet superfuqi energjetike në rajon”.

Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e zhvilluar për përurimin e hidrocentralit Ashta 1, një projekt i kompanive austriake Verbund dhe EVN që përfshin ndërtimin e HEC-eve Ashta 1 dhe Ashta 2 , një investim prej 200 milionë euro.

Kreu i qeverisë tha se “HEC-i i Ashtës është unik në llojin e tij, pasi edhe pse nuk është më i madhi , është një diamant i ndërtuar në kurorën e qindra HEC -ve të prodhuara në vend”.

Sipas kryeministrit qeveria do të inkurajojë ndërtimin e 440 HEC-eve në vend, ndërkohë që në 2-3 vitet e fundit ne kemi firmosur për ndërtimin e 220 HEC-ve ku në 36 prej tyre po punohet me intensitet.

“Në tenderin për ndërtimin e HEC-ve të Ashtës morën pjesë kompani nga gjithë Evropa, por oferta e kompanive austriake Verbund dhe EVN ishte më e leverdisshmja”, nënvizoi kryeministri Berisha, duke shtuar se bashkëpunimi Shqipëri-Austri do të vijojë edhe në të ardhmen.

Deri në vitin 2012, kompanitë austriake Verbund dhe EVN do të përfundojnë edhe ndërtimin e HEC-it Ashta 2.

Ndërtimi i HEC-it Ashta 1 nisi në fillim të vitit 2010, por u shty për shkak të kushteve shumë të pafavorshme të motit.

Në një kohë kur ka përfunduar ndërtimi i ASHTA 1, sapo ka përfunduar edhe betonimi në nivelin e pragut të ASHTA 2 . Përfundimi i ndërtesës kryesore të ASHTA 1 u arrit në fund të qershorit të këtij viti. Deri tani më shumë se 40 mijë metër kub beton dhe më shumë se 3 mijë ton çelikë janë përdorur brenda pothuajse gjysëm milionë orësh punë në kantier.

Hidrocentrali është ngritur në veri të Shqipërisë në afërsi të Shkodrës, qytetit të katërt për nga madhësia në vend. Pas vënies në punë, hidrocentrali i Ashtës do të prodhojë 240 milionë KË energji elektrike dhe do të furnizojë me energji 100 mijë familje shqiptare.

Projekti i kësaj vepre është i favorshëm për mjedisin, pasi energjia e prodhuar nuk do të shkaktojë ndotje ajri.