Lajme Shqip Thursday, 07 November 2013 21:44

Pas vendimit të Gjykatës Administrative për të hequr masën e bllokimit, për pallatin e kompleksit “Jon” në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, i njohur ndryshe si pallati i Lulzim Bashës, vjen reagimi i ish-kryeministrit Berisha.

Nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook”, Berisha  e cilësoi vendimin e gjykatës si një vendim për tu përshëndetur dhe se u hoq shiriti i zonës së krimit.

Ja se çfarë shkruan Berisha në “Facebook”: 

NJËVENDIM PËR TU PËRSHËNDETUR!

Të dashur miq, sot Gjykata Administrative e Vlorës vendosi heqjen e shtet-rrethimit banditesk të urdhëruar nga Edi Rama dhe kontrollit Orwellian të identitetit të pronarëve me letërnjoftim dhe certifikatë pronësie për të hyrë në apartamentet e tyre. Në vendimin e saj, gjykata njohu faktin se institucionet e administratës shtetërore kanë vepruar në tejkalim të kompetencave të tyre duke qenë se nuk kanë dalë me një akt dhe se nga veprimet e tyre cënohet dukshëm parimi i ligjshmërisë dhe i proporcionalitetit të veprimtarisë së administratës shtetërore.

Gjykata deklaroi se të drejtat e qytetarëve dhe e drejta e tyre për gëzuar të qetë pronën janë të drejta kushtetuese të pacënueshme! Ajo vendosi pezullimin e veprimeve administrative të bëra nga INUK-u vendor e qendror dhe policia në pronën prej 1663 m2.

Kështu unë përshëndes këtë vendim të rëndësishëm për çdo shqiptar sepse shiriti i zonës së krimit që kishte rrethuar shtëpitë e blera dhe të hipotekuara sipas rregullit dhe ligjit, kishte rrethuar ne fakt dukshëm – padukshëm shtëpinë e çdo shqiptari.

Sot në Vlorë, në betejën midis shtetit policor dhe shtetit ligjor, midis antiligjit dhe ligjit, fitoi ligji dhe shteti ligjor, e drejta dhe kushtetuta e vendit! sb/Shekulli/