Lajme Shqip Friday, 16 December 2011 08:00

Tiranë- Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbrëmje, se “në asnjë rast dhe rrethanë maxhoranca nuk do të rikandidonte Bamir Topin në postin e Presidentit të Republikës.

I ftuar në një emision televiziv “Opinion” në Tv Klan, Berisha komentoi marrëdhëniet e maxhorancës me Kreun e Shtetit dhe miratimin sot në Kuvend të z. Bujar Leskaj në postin e kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

“Për aq kohë sa Presidenti i Republikës bëri të qartë se nuk kishte ndërmend të respektonte vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, që përcakton qartë detyrimin e konsultimeve të ndërsjellta, mbetej që ose KLSH të lihej pa kryetar deri në fund të mandatit të Topit, dhe maxhoranca i kishte votat për ta bërë këtë, ose të prevalonte institucionalizimi dhe KLSH të kishte kryetarin e saj”, tha Berisha.

Përsa i përket marrëdhënieve të Presidentit Topi me maxhorancën, Berisha tha se, “në historinë e një vendi nuk mund të ketë asgjë më rrënuese për institucionin qendror të shtetit, se sa deklarimi i Presidentit në detyrë, për të krijuar parti”.

 “Nëse flitet për dinjitet shtetëror, kjo është e rëndë, sepse Presidenti qëndron qartësisht jashtë forcave politike dhe presidenca kurrë nuk mund të jetë një parti politike në një Republikë Parlamentare. Ai ka një rrugë, të japë dorëheqjen dhe pastaj të krijojë parti politike, meqënëse maxhoranca e cila e kandidoi ka deklaruar publikisht se nuk do ta rikandidojë. Kjo është e prerë. Nuk mund të bëjë kompromise artificiale, pasi kjo do të thotë të marrësh peng presidencën. Të votosh një President për të shmangur krijimin e një partie që të bënë dëm ty, do të thotë të bësh pazare”, tha Berisha.

Berisha: PD do ketë kandidatin e vetë për president

Kryeministri Sali Berisha deklaroi se Partia Demokratike do të ketë kandidatin e vetë në zgjedhjet presidenciale të 2012″, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për një kandidim të tij për këtë post.

Ai tha se Fatos Nano është lideri i së majtës dhe ai nuk mund të jetë kandidati i propozuar nga Partia Demokratike për postin e Presidentit.

“PD do të ketë kandidatin e vet dhe padiskutim që përjashtohet Fatos Nano, sepse ai është lideri politik i së majtës”, tha Berisha.

Sipas tij “PD ka të drejtën të kandidoj çdo drejtues të saj për President Republike”. “PD ka një numër të madh personalitetesh që mund ti promovojë në atë post dhe nuk ka pengesë për të përzgjedhur kandidatin më të mirë që ajo mendon për postin e Presidentit”, tha Berisha.

Kryeministri theksoi se “koalicioni i djathtë funksionon në mënyrë të përsosur dhe i ka të gjitha votat për të votuar Presidentin e Republikës, zgjedhja e të cilit do të bëhet në përputhje me Kushtetutën e vendit”.

 I pyetur nëse Jozefina Topalli mund të jetë kandidatura e PD-së për postin e Presidentit, Berisha tha se, “ajo, sikurse dhe disa drejtues të tjerë të PD-së kanë të gjitha cilësitë për të qenë në atë post, por në mënyrë absolute nuk ekziston dhe nuk do të ekzistoj as edhe një kandidaturë deri sa të filloj gara presidenciale”.

“Bamir Topi është President deri ditën që i skadon mandati dhe nuk do të ketë as edhe një emër deri në ditën që mbaron mandati i tij”, tha Berisha, ndërsa përjashtoi çdo mundësi për propozimin e një kandidature jo politike.

Sipas tij, “Presidenti i vendit është një post politik dhe nuk është post jo politik”. (LajmeShqip.com)