Lajme Shqip Tuesday, 17 May 2011 21:53

Tiranë – Kryeministri Sali Berisha deklaroi sot, që rezultatet për zgjedhjet vendore të 8 majit duhet të përfshijnë çdo votë të hedhur nga zgjedhësit dhe në këtë drejtim, administrata zgjedhore ka për detyrë që t’i japë vlerën e duhur në mënyrë të njëtrajtëshme çdo vote, në të cilën zgjedhësi ka shprehur qartë vullnetin e tij.

Sipas zyrës së shtypit pranë kryeministrisë, Kryeministri Berisha priti sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu, Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadorin Eugen Wollfarth dhe Kreun e Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ettore Sequi.

Në takim u bisedua për zhvillimin e procesit zgjedhor dhe numërimin e votave, i cili po vijon pas mbylljes së qëndrave të votimit.

Ambasadorët vlerësuan zhvillimin e qetë të zgjedhjeve dhe vlerësuan lart deklaratat e kryeministrit të bëra mbas mbylljes së procesit të numërimit për Tiranën, që në kushtet e një rezultati shumë të ngushtë, palët duhet të tregojnë durim deri në daljen e rezultatit final të çertifikuar ligjërisht. Ata theksuan se një qëndrim i tillë, i cili tregon lidership, ishte një kontribut i rëndësishëm në këtë fazë të procesit.

Nga ana e tij, Kryeministri Berisha i falenderoi Ambasadorët për kontributin e çmuar që ata dhanë nëpërmjet angazhimit personal dhe të stafit të tyre, si në ditën e zgjedhjeve, ashtu dhe gjatë numërimit të votave.

Kryeministri theksoi se maxhoranca qëndron e bindur se çdo votë e hedhur nga zgjedhësit do të vlerësohet dhe numërohet me saktësi dhe se rezultati final do të pasqyrojë saktësisht vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.

Në këtë drejtim, Kryeministri Berisha shprehu besimin e tij se institucionet e mandatuara nga ligji kanë kryer detyrën dhe do të vazhdojnë ta kryejnë atë me saktësinë më të madhe, duke garantuar në këtë mënyrë legjitimitet të plotë të rezultateve përfundimtare. Ai u shpreh se maxhoranca në fund të këtij procesi do të pranojë rezultatet e çertifikuara sipas ligjit.

Kryeministri nënvizoi se sistemi i numërimit rikonfirmoi se, ashtu si në zgjedhjet e vitit 2009, procesi shqiptar i numërimit të votave siguron transparencë të plotë, besim të palëve e për rrjedhojë shmang ankimet mbi rezultatin.